Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ia ka zgjatur afatin Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF) për gjashtë muajt e ardhshëm, për bizneset e mëdha.
Në Kosovë të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit u detyruan të kalojnë në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.
Kjo nënkupton se ato duhet të lidhin kontratë me një nga 21 kompanitë e licencuara në vend për furnizim me energji.
Kompanitë që nuk kanë arritur të lidhin kontratë, furnizohen nga KEK-u, si mundësia e fundit për furnizimin me rrymë për to.
Sipas dispozitave të Ligjit për Energji Elektrike, Furnizuesi i Mundësisë së Fundit është një furnizues që caktohet për një periudhë të kufizuar kohore dhe ofron shërbime furnizimi për konsumatorët të cilët nuk kanë arritur të kontraktojnë një furnizues tjetër, apo që kanë humbur furnizuesin e tyre ekzistues.
Ky furnizues përcaktohet përmes një tenderi të hapur të shpallur nga ZRRE-ja.
Në bazë të këtij tenderi, rregullatori emëron FMF-në për një periudhë trevjeçare.
Por, në rast se nuk përzgjidhet një furnizues për atë periudhë, ZRRE-ja ka të drejtë të caktojë një furnizues të përkohshëm për një periudhë jo më të gjatë se gjashtë muaj, gjatë së cilës do të zhvillohet tenderi i ri.
ZRRE nuk ka dhënë ndonjë arsye zyrtare për zgjatjen e mandatit të KEK-ut si FMF deri më 31 janar 2026.
FMF-ja ofron gjithashtu mbështetje për konsumatorët që janë në proces të kërkimit të një furnizuesi alternativ, për një periudhe 60-ditore.
Ky zhvillim pason hyrjen në fuqi të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Vendimi parasheh që bizneset që i plotësojnë kriteret e përmendura duhet të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre të energjisë në treg të lirë, me çmime të parregulluara nga institucionet shtetërore.
KEK-u ka bërë të ditur se ka interesim të jashtëzakonshëm nga ana e bizneseve për të lidhur kontrata furnizimi, mirëpo nuk ka specifikuar se sa është numri i tyre.