Ndërlidhjet

Autoritetet thonë se janë izoluar plotësisht zjarret në Shëngjin


Helikopteri i angazhuar për shuarjen e zjarreve në Shëngjin. 30 korrik 2024.
Helikopteri i angazhuar për shuarjen e zjarreve në Shëngjin. 30 korrik 2024.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile të Shqipërisë, Haki Çako, bëri të ditur nga Shëngjini se ndërhyrja nga ajri për shuarjen e zjarreve në këtë zonë ka përfunduar mesditën e së mërkurës.

Një ditë më parë, në Shëngjin situata u përkeqësua pasi flakët kapluan një kompleks turistik në zonën e njohur si Rana e Hedhun. Zjarri arriti deri në bregdet.

Çako tha se raportimet për vonesë të autoriteteve për të ndërhyrë në neutralizimin e flakëve, do të jenë pjesë e një analize që do të bëhet pasi të përfundojë i gjithë operacioni për shuarje në terren. I pyetur se përse në Shëngjin nuk u përdorën të dy helikopterët Cougar, ai tha:

"Nuk ka helikopter për çdo fshat. Ftoj banorët të sinjalizojnë në kohë".

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë më herët tha se ka arritur të bëjë izolimin e plotë të vatrave të zjarreve në Shëngjin.

"Fatmirësisht nuk pati lëndime në njerëz, por vetëm dëme minimale në biznese përreth zonës së zjarrit, në dy bare plazhi dhe në çatinë e një shtëpie", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ekipet e zjarrfikësve u ndihmuan edhe nga efektivët e Forcave të Armatosura, Policia, strukturat vendore të mbështetura edhe nga dy avionët Canadair të Italisë.

*Për më shumë rreth zjarreve në Shëngjin, dëgjojeni edicionin më të fundit të Programit të mesditës të Radios Evropa e Lirë:

Programi i mesditës
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:15:00 0:00

Pos në Shëngjin, bëhet e ditur se situatë e vështirë nga përhapja e zjarreve është krijuar edhe mbi qytetin e Tepelenës, ku sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ‘zjarri ka dalë jashtë kontrollit për shkak të erës së fortë’, që lehtëson përhapjen e flakëve.

Ministria e Mbrojtjes tha se po punohet intensivisht për shuarjen e disa vatrave të tjera të zjarrit në fshatin Zavalinë në bashkinë e Elbasanit, dhe në Kodrat e Liqenit të Viroit që gjendet në bashkinë e Gjirokastrës.

Pesë ditë luftë me zjarrin, Shëngjini drejt normalitetit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:40 0:00

Mëngjesin e së mërkurës, Prefektura e Lezhës tha se gjatë natës janë shuar disa vatra zjarri, që shpërthyen nga pasditja e së shtunës, dhe se situata me zjarre është drejt përmirësimit.

“‘Për ditën e sotme të do të operojnë të gjithë mjetet e Mbrojtjes nga Zjarri që kanë qenë të pranishme dhe një ditë më parë, si dhe 300 efektivë të Forcave të Armatosura dhe rreth 100 forca bashkiake. Po operohet në terren për shuarjen e çdo vatre zjarri të ndezur [trungje të ndezura]”, thuhet në njoftimin e Prefekturës së Lezhës.

Përveç forcave zjarrfikëse, për shuarjen e flakëve u angazhua edhe helikopteri Cougar i Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë si dhe dy avionë Canadair, të ardhur nga Italia, si pjesë e mbështetjes nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile.

Ministri i Brendshëm, ende në detyrë, Taulant Balla, ishte mbrëmjen e 30 korrikut në Shëngjin, nga ku tha se po kërkohet ndihmë shtesë nga jashtë vendit për të vënë nën kontroll situatën me zjarre.

“Jemi në kontakte me [misionin e NATO-s në Kosovë] KFOR për të marrë helikopterët e tyre. E gjitha punë jonë është e pamundur të japë rezultatin që duam. Situata më e vështirë është te ‘Rana e Hedhun’. Por, jam i shqetësuar edhe për kurorën në qytet, te kisha. Është një kurorë e mbjellë me pisha dhe pisha është si një mjet shpërthyes”, tha Balla.

Ai, po ashtu, tha se nuk ka të dhëna se shpërthimi i zjarrit të ketë qenë i qëllimshëm.

Shqipëria ka rreth 147 mjete zjarrfikëse dhe 1.300 efektivë dhe dy helikopterë Cougar, që sipas autoriteteve janë të pamjaftueshme për të përballuar situatën që krijohet me zjarre gjatë verës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG