Ndërlidhjet

Zidan: Ndryshimi i emrit nuk prek identitetin e maqedonasve


Kryetari i Parlamentit të Sllovenisë, Dejan Zidan, gjatë takimit me homologun e tij në Shkup, Talat Xhaferi, ka theksuar se marrëveshja me Greqinë për çështjen e emrit nuk prek identitetin e maqedonasve ndërkohë që hap perspektivat euro-integruese për shtetin.

“Edhe më tej maqedonasit do t'i quajmë maqedonas dhe do të ruhet gjuha maqedonase ” ka theksuar Zidan.

Ai tha se më 30 shtator, qytetarët e Maqedonisë me votën e tyre do të përcaktojnë të ardhmen e tyre euroatlantike.

Nga ana tjetër, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Talat Xhaferi, ka theksuar se për institucionin ligjvënës mbetet në krye të prioriteteve integrimi i Maqedonisë në strukturat euroatlantike.

“Integrimi euroatlantik i Republikës së Maqedonisë mbetet prioritet i Parlamentit dhe Republikës së Maqedonisë. Me realizimin e planit 3-6-9 të qeverisë dhe së fundmi në përpjekje të realizimit të planit të ashtuquajtur plani 18-të i qeverisë, Parlamenti mbetet koshient për t'i dhënë vulën këtij procesi dhe në vazhdën e përpjekjeve tona integrimi në NATO dhe BE mbetet prioritet kryesor”, tha Xhaferi, duke vënë në fokus mbështetjen e shtetit të Sllovenisë në këtë moment të rëndësishëm në të cilën ndodhet Maqedonia.

Çështja e referendumit ka qenë në fokus të debatit “Maqedonia para një vendimi të ri historik” organizuar nga Asociacioni i shoqatave nga fusha e sigurisë, mbrojtjes dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në kuadër të debatit janë dhënë qëndrime të ndryshme të ekspertëve kushtuar Marrëveshjes Maqedoni-Greqi , marrëveshje kjo që është cilësuar si çelës që hap dyert e perspektivave për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE, pas realizimit të referendumit dhe ndryshimeve kushtetuese si pjesë e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit veri-atlantik në Shkup, për Radion Evropa e Lirë thotë se me anëtarësimin në NATO , Maqedonia si shtet përpos që do të përfitojë në aspektin e sigurisë së vendit, do të ketë më shumë benefite edhe në aspektin e përforcimit të kapaciteteve të institucioneve të shtetit, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me sigurinë dhe sundimin e drejtësisë.

“Anëtarësimi në NATO, shteteve anëtare u sjellë më shumë drejtësi, më shumë funksionalitet për institucionet e vendit, duke përfshirë këtu dhe demokratizimin e vendit, pra të gjitha ato karakteristika që i përkasin Bashkimit Evropian në fakt janë dhe karakteristika që vlejnë edhe për NATO-n sepse duhet të kemi parasysh se të gjitha vendet e BE janë dhe anëtare të Aleancës veri-atlantike. Krijohen kushte të cilat garantojnë stabilitet dhe siguri dhe me këtë kemi edhe zhvillim më të mirë qoftë në aspektin ekonomik apo të institucioneve demokratike dhe krejt kjo Maqedonisë si shtet anëtar i NATO-s do t'i sjellë më shumë benefite”, thotë Ramadani.

Në fokus të mediave është deklarata e kryetarit të VMRO DOMNE-së Hristijan Mickoski, i cili nuk tregoi nëse do të dalë ose jo për të votuar në referendum më 30 shtator.

Nga ana tjetër, nga partia e kryeministrit Zoran Zaev, Lidhja Social Demokrate, kanë reaguar duke thënë se “gjashtë ditë deri në referendumin për të ardhmen, Hristijan Mickoski jo vetëm që nuk ka qëndrim për çështjen më të rëndësishme, por me ngulm mohon gjithçka që i sjellë mirë Maqedonisë”.

“Mickoski injoron Bashkimin Evropian dhe NATO-n, nuk dëshiron zhvillim dhe nuk dëshiron që Maqedonia të shkojë përpara”, theksohet në komunikatën e lëshuar për mediat nga selia e socialdemokratëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG