Vela: Vuçiq po pretendon rrejshëm se ka një realitet të ri në veri
Pas heqjes së barrikadave në veri të Kosovës, ka reaguar Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes, Vjosa Osmani.
Ai përmes një postimi në Twitter tha se edhe pse barrikadat në Kosovë të ngritura nga “strukturat ilegale të Serbisë” po hiqen, ajo që mbetet e papranueshme është “përpjekja e regjimit [presidentit serb, Aleksandar] Vuçiq për të ‘normalizuar’ veprimet e fshehta, dhunën dhe kërcënimin e si normë udhëzuese për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Ai tha se marrëdhëniet Kosovë-Serbi mund të bazohen vetëm në njohjen reciproke, barazinë dhe reciprocitetin.
“Regjimi i Vuçiqit po pretendon rrejshëm se ka një ‘realitet të ri politik dhe juridik në veri të Kosovës’. Policia dhe institucionet tona po kryejnë detyrat e tyre në të gjithë territorin, përfshirë edhe veriun”, tha ai.
Pas 20 ditësh bllokim të rrugëve që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, ato u zhbllokuan më 29 dhjetor nga serbët lokalë në veri të vendit – të cilët vetë i kishin vendosur barrikadat.
NATO mirëpret përpjekjet për uljen e tensioneve në veri
Në një deklaratë për media, zëdhënësja Oana Lungescu, tha se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, mirëpret përpjekjet për uljen e tensioneve në veri të Kosovës, dhe pret që të gjitha palët t'i përmbahen angazhimeve të tyre.
“KFOR-i po monitoron nga afër [situatën] dhe është i gatshëm të ndërhyjë nëse është e nevojshme, në përputhje me mandatin e tij për të ruajtur lirinë e lëvizjes", shkroi Lungescu në Twitter.
Jarinja dhe Bërnjaku vazhdojnë të jenë të mbyllura
Jarinja e Bërnjaku vazhdojnë të jenë të mbyllura, edhe pse barrikadat e vendosura në rrugët që çojnë drejt këtyre dy pikëkalimeve kufitare janë larguar.
Kështu thuhet në përditësimin e fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë, në faqen e ministrisë së Punëve të Brendshme.
Përveç heqjes së barrikadave në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut, pasditen e së enjtes janë larguar edhe barrikadat në fshatin Rudarë, i cili gjindet në komunën e Zveçanit, dhe ato në Mitrovicë të Veriut.