Borrell: BE-ja nuk do t'i tolerojë sulmet ndaj EULEX-it
Kryediplomati evropian, Josep Borrell ka thënë se Bashkimi Evropian nuk do t'i tolerojë sulmet ndaj EULEX-it.
“BE-ja nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it apo përdorimin e dhunës, dhe akteve kriminale në veri. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Qetësia duhet të kthehet. EULEX-i do të vazhdojë të koordinojë veprimet me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in. Gjithë akterët duhet të evitojnë përshkallëzimin”, ka shkruar Borrell në Twitter.
Bërnabiq bën thirrje për qetësi dhe durim
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, bëri thirrje për qetësi dhe durim.
"Të gjitha protestat duhet të jenë paqësore dhe demokratike. Ne duhet të mbrojmë gjënë e vetme më të rëndësishme për të gjithë: paqen", shkroi ajo në Twitter.
Bërnabiq tha se “atë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e percepton si kërcënim janë thirrjet tona të vazhdueshme për paqe dhe stabilitet, dialog të hapur dhe të ndershëm, respektim dhe zbatim të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani".
Fotogaleri: Veriu i Kosovës përmes fotografive
Ambasadori gjerman: Dhuna kundër EULEX-it duhet të ndalet tani
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pasi një shok bombë u hodh mbrëmjen e 10 dhjetorit ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it në veri të Kosovës.
“EULEX-i kontribuon në ofrimin e sigurisë dhe sigurisë për të gjithë qytetarët. Dhuna kundër EULEX-it dhe ofruesve të tjerë të sigurisë duhet të ndalet tani”, tha ai.