Transferimi i Pantiqit,"në bashkëpunim me partnerët tanë"
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se ish-polici serb, Dejan Pantiq - arrestimi i të cilit më 10 dhjetor nxiti ngritjen e barrikadave në veri - gjendet në një stacion policor afër Jarinjës. Ai tha se Pantiq është mirë me shëndet dhe po merr trajtimin e duhur.
Ministri Sveçla tha se transferimi i Pantiqit në një qendër paraburgim është prioritet për autoritetet dhe se për këtë kanë kërkuar edhe ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë.
“Prandaj për ne mbetet prioritet transferimi i tij përmes bashkëpunimit me partnerët tanë”, tha ai
“Largimi i barrikadave e mundëson këtë transferim nga Policia e Kosovës, lehtë dhe sigurt”, tha Sveçla, duke shtuar se kërkesa për lirimin e tij është "e papranueshme" për Kosovën.
Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) ka konfirmuar më 16 dhjetor për Radion Evropa e Lirë se ka marrë kërkesë nga institucionet e Kosovës për të ndërmjetësuar transferimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.
“Në linjë me mandatin e tij, EULEX po monitoron rastin e D.P”, u tha në përgjigje.
Pantiq dyshohet se ka organizuar sulmin e 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Sveçla: Nëse KFOR-i nuk vepron, ne do t’i heqim barrikadat
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se situata e sigurisë në veri të Kosovës është rënduar.
Andaj ai tha se po presin që KFOR-i të veprojë sa më shpejt, por shtoi se nëse kjo nuk ndodh, Kosova do t’i heqë vetë barrikadat.
“Ata [KFOR] kanë kërkuar një kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që atë angazhimin e tyre ta realizojnë. Por pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në Jarinjë dhe Bërnjak, ditët që po numërohen, po u vije fundi. Besoj që KFOR-i dhe faktori ndërkombëtar po angazhohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt. Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj”, tha Sveçla.
*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Serbët nuk zmbrapsen nga barrikadat “pa plotësimin e kushteve”
Qindra qytetarë serbë nga pjesë të ndryshme të Kosovës u mblodhën të enjten në veri të vendit, duke parashtruar një varg kërkesash për heqjen e barrikadave të ngritura në këtë zonë. Protesta u thirr nga i ashtuquajturi Shtab i krizave, i cili përbëhet nga punonjës të institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe përfaqësues të partisë më të madhe të serbëve, Lista Serbe. Disa qytetarë të anketuar nga REL-i, thanë se janë të privuar nga të drejtat e tyre; të tjerë thanë se nuk e kanë idenë se përse protestojnë.
Serbia: Situata në Kosovë është e paqëndrueshme, po presim përgjigjen e KFOR-it
Situata në Kosovë është e paqëndrueshme dhe se Serbia ende po pret përgjigjen e KFOR-it sa i përket dislokimit të ushtarëve serbë, tha më 22 dhjetor sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, Nemanja Staroviq.
Këto deklarata ai i bëri për mediat e huaja në Beograd, në ditën e 13-të që kur disa serbë lokalë kanë ngritur në veri të Kosovës, dhe një ditë pasi kryeministrja serbe, Ana Bërbaniq, tha se situata është “në prag të konfliktit të armatosur”.
I pyetur nga gazetarët për vlerësimin e Ministrisë së Mbrojtjes serbe nëse situata është në prag të një konflikti të armatosur, Staroviq tha:
“Ne jemi shumë të kujdesshëm me fjalët që përdorim dhe gjithmonë bëjmë përpjekje që të përdorim një gjuhë të paqes për shkak të përgjegjësisë që kemi. Në anën tjetër, unë i kuptoj plotësisht deklaratat e dhëna nga kryeministrja serbe [Ana Bërnabiq] dhe nga presidenti [Aleksandar Vuçiq]”.
*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU