Ndërlidhjet

Njerëz me maska në afërsi të barrikadës në Mitrovicën e Veriut. 29 dhjetor 2022.
Njerëz me maska në afërsi të barrikadës në Mitrovicën e Veriut. 29 dhjetor 2022.

Kurti për largimin e barrikadave: Vetë i vunë, vetë i hoqën

  • Largimi i barrikadave në veri të Kosovës nisi pasditen e 29 dhjetorit.
  • Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
  • Kjo ka qenë përgjigjja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Atij fillimisht i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërsa më vonë është dërguar në arrest shtëpiak.
  • Pantiq dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
  • Largimi i barrikadave nisi pas një takimi që presidenti i Serbisë zhvilloi me disa përfaqësues të serbëve në Kosovë dhe tha se ka marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar se kërkesat e tyre do të plotësohen.
23:53 9.12.2022

Tensionet në veri


Të nderuar lexues, këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë për ditën e sotme sa i përket situatës në veri të Kosovës.

Por, më poshtë po ju sjellim një përmbledhje të ngjarjeve që kanë ndodhur më 9 dhjetor:

  • Shtetet e Bashkuara dënuan incidentet e dhunshme në veri të Kosovës dhe kërkuan nga Prishtina dhe Beogradi që të shmangin deklaratat që mund të përshkallëzojnë më tej tensionet
  • Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se në dy ditët e fundit, autoritetet kanë arrestuar dy serbë për sulme ndaj zyrtarëve policorë. Policia e Kosovës tha se arrestimi i fundit ndodhi më 9 dhjetor, në Jarinjë në veri të Kosovës, ku gjendet pikëkalimi kufitar midis Kosovës dhe Serbisë
  • Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka rekomanduar shtyrjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës, pasi sipas anëtarit të këtij institucioni, Arianit Elshani, KQZ-ja nuk ka mandat për këtë
  • Policia e Kosovës tha se situata në katër komunat në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – është stabile dhe e menaxhueshme
  • Gjatë ditës janë raportuar disa incidente, tha Policia, përfshirë një sulm ndaj një ekipi gazetarësh. Në orët e mbrëmjes, në Mitrovicë të Veriut janë dëgjuar disa shpërthime. Por, autoritetet nuk kanë dhënë detaje se çfarë i ka shkaktuar ato
  • Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Policia e Kosovës nuk është e orientuar kundër serbëve
  • Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në Kosovë nuk do të ketë më kurrë policë e ushtarë të Serbisë. Këto komente erdhën pas disa paralajmërimeve nga zyrtarët serbë se po e shqyrtojnë mundësinë që të dërgojnë trupa në Kosovë, duke u thirrur në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara
  • Njohësit thanë se Serbia nuk vendos për kthimin e forcave në Kosovë. Por, këtë e vendos misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR
  • Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – tha se "bartës i rezistencës” në veri është nënkryetari i saj, Milan Radoiçiq. Ai është në listën e zezë amerikane për përfshirje në krim të organizuar ndërkombëtar. Britania më 9 dhjetor e vendosi atë nën sanksione për shkak të korrupsionit
  • Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zgjedhjet, për shkak se kanë argumentuar se aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e tyre
  • Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar me situatën “shumë serioze” në veri të Kosovës
  • Disa qytetarë – serbë dhe shqiptarë – në Mitrovicë të Veriut, i thanë Radios Evropa e Lirë se janë të mësuar me tensione. Mendimet e tyre mund t’i gjeni KËTU
23:24 9.12.2022

SHBA dënon incidentet e dhunshme në veri


Shtetet e Bashkuara kanë dënuar incidentet e dhunshme që kanë ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Zërin e Amerikës.

“Përdorimi i eksplozivëve nuk është kurrë një metodë e pranueshme proteste dhe rrezikon jetën e njerëzve të pafajshëm”, tha zëdhënësi.

Ai shtoi se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t'u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo deklaratë që do të përshkallëzonte më tej tensionet”.

23:11 9.12.2022

Dëgjohen shpërthime në veri 


Në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, janë dëgjuar shpërthime mbrëmjen e 9 dhjetorit.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë thanë se njëri nga shpërthimet është dëgjuar te lagjja Tri Rrokaqiejt.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë qenë të paqasshëm për të dhënë detaje se çfarë ka shkaktuar këto shpërthim.

22:00 9.12.2022

Sveçla: Dy serbë të arrestuar për sulme ndaj Policisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se brenda dy ditësh janë arrestuar dy serbë, që ishin në kërkim për sulme ndaj zyrtarëve policorë.

“Siç edhe jemi zotuar në vazhdimësi, lufta jonë kundër krimit dhe rritja e sigurisë për qytetarët pa dallim nuk kanë alternativë. Do të vazhdojmë angazhimin maksimal që të gjithë kryesit e veprave kriminale e terroriste të sillen para drejtësisë”, tha Sveçla.

Ky njoftim vjen pasi Policia e Kosovës tha se më 9 dhjetor arrestoi një serb, të dyshuar për përfshirje në një sulm me armë zjarri ndaj zyrtarëve policorë.

M.A u arrestua në Jarinjë, në veri të Kosovës, ku gjendet një prej pikëkalimeve kufitare midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ky person ishte në kërkim, për një sulm ndaj Policisë që kishte ndodhur kohë më parë.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet dhe aktivitetet e saja në realizimin e objektivave policore, përfshirë edhe arrestimin dhe vënien para drejtësisë të personave të kërkuar edhe ky arrestim dëshmon se askush nuk mund t’i ikë drejtësisë dhe herët a vonë do të përballet me forcën e ligjit”, u tha në njoftim.

I arrestuari është dërguar në mbajtje.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG