Ndërlidhjet

Si do të ndikojë Ukraina në qasjen e BE-së ndaj Ballkanit?


Selia e Komisionit Evropian në Bruksel
Selia e Komisionit Evropian në Bruksel

Deri më tash në Bashkimin Evropian, sa herë që është folur për procesin e zgjerimit të tij, është përmendur “gjashtëshja ballkanike”: Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina.

Me një dinamikë dukshëm të ngadalësuar, BE-ja e ka vazhduar procesin e përafrimit me to - katër prej të cilave: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia kanë statusin e vendit kandidat - por vetëm Mali i Zi dhe Serbia janë duke zhvilluar negociata për anëtarësimin.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndonëse i kanë përmbushur të gjitha kushtet, nuk i kanë nisur ende këto negociata. Bosnje e Hercegovina ka aplikuar për anëtarësim, por Komisioni Evropian nuk ka dhënë mendim pozitiv për t’ia ofruar statusin e kandidatit.

Kosova, ndërkaq, nuk ka dorëzuar kërkesë formale për anëtarësim në BE.

Edhe pse janë në faza të ndryshme, BE-ja i sheh të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor me potencial për t’u bërë anëtare të saj në një të ardhme. Këtë, BE-ja nuk e thotë më për Turqinë, edhe pse ky vend, formalisht, është kandidat për anëtarësim dhe negociatat i ka nisur qysh në vitin 2005.

Qarqet vendimtare në BE, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, kanë kërkuar që të kihet kujdes në vazhdimin e procesit të zgjerimit dhe të mos jepen premtime se ky proces mund të vazhdojë deri në pakufi.

Siç rikujton një zyrtar i lartë i BE-së për Radion Evropa e Lirë, “që në vitin 2006, BE-ja ka insistuar se do t’i mbajë premtimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim në BE, por nuk do të marrë obligime sa u përket vendeve të tjera, sidomos atyre nga fqinjësia lindore”.

Prandaj, për vendet e Ballkanit, në BE gjithmonë është thënë se “mbështesin perspektiven evropiane”, duke menduar në anëtarësimin formal, ndërsa për vendet si: Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, është thënë se “i mbështesin aspiratat e tyre evropiane”.

“Me vendet e Ballkanit Perëndimor kemi procesin që duhet të çojë një ditë deri tek anëtarësimi në BE. Por, me vendet e Evropës lindore kemi procesin e përafrimit sa më të madh, pa premtuar anëtarësim”, thotë ky zyrtar.

Gjërat tash kanë ndryshuar dhe grupit të quajtur “Gjashtë partnerët nga Ballkani Perëndimor” mund t’i bashkohen edhe tri vende të fqinjësisë lindore.

“Ka gjasa që tash të kemi një grup: 6 plus 3. Pra, gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor t’u bashkohen edhe tri shtetet që së fundi kanë kërkuar anëtarësim në BE, e që janë: Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia”, thotë një diplomat evropian.

Komisioni Evropian, diku nga mesi i muajit qershor, pritet të japë mendimin për kërkesat e këtyre tri vendeve për anëtarësim në BE. Edhe pse në BE vazhdojnë të thonë se blloku “do t’i shqyrtojë sipas procedurave në fuqi” kërkesat e tyre, është e qartë se këto kërkesa janë bërë me shpejtësi të madhe dhe përgjigjja e Komisionit pritet shumë shpejt.

Zakonisht, nga kërkesa për anëtarësim deri te publikimi i mendimit të Komisionit Evropian, kalon së paku një vit. Ndërsa, Ukraina dhe dy vendet tjera kanë dorëzuar aplikacionet para tre muajsh dhe, pa u mbushur katër muaj, Komisioni do të japë mendimin. E, pas këtij mendimi, Këshilli Evropian do të diskutojë për këto kërkesa në samitin më 23 dhe 24 qershor.

Nuk dihet se cila do të jetë përgjigjja e Komisionit, sepse analiza bëhet në rrethana jonormale për këto tri vende. Ukraina është nën pushtimin rus, ndërsa edhe Gjeorgjia dhe Moldavia ndihen të kërcënuara, sepse kanë territor të okupuar nga Rusia, që nuk e kontrollojnë.

Një diplomat i një vendi anëtar, që mbështet zgjerimin e BE-së edhe me rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe me vendet e Evropës lindore, thotë për Radion Evropa e Lirë se “BE-ja pritet të dërgojë mesazhe politike, se këto vende i takojnë familjes evropiane”, por “nuk pritet t’u jepet statusi formal i vendit kandidatit në këtë moment”.

Gjithsesi, BE-ja duket se është vënë në një pozitë jo të lehtë, sepse, në këto rrethana, nuk mund ta refuzojë Ukrainën, por, në të njëjtën kohë, shembujt me Ballkanin Perëndimor dëshmojnë se dëshira për zgjerimin e BE-së nuk është e madhe mes vendeve anëtare.

“Nuk do të ishte korrekte” ndaj Ballkanit

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili së shpejti do t’i vizitojë vendet e Ballkanit Perëndimor, ka thënë se “nuk duhet harruar se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë ende në pritje”.

Se “nuk do të ishte korrekte” që të mbahet në pritje Ballkani Perëndimor dhe t’u jepet statusi i kandidatit vendeve të Evropës lindore, ka thënë edhe kryeministri i Holandës, Mark Rutte, vendi i të cilit, sipas shumë diplomatëve, ka qenë gjithmonë në krye të atyre që kanë paraqitur më së shumti pengesa në procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, ka thënë se vendi i tij ka mbështetur gjithmonë aspiratat e Ukrainës për anëtarësim në BE, por ka shtuar se “nuk duhet të harrojmë se kemi akoma dy shtete të fqinjësisë sonë të afërt, Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën, që nuk e kanë statusin e kandidatit”.

Diplomatët në Bruksel janë të ndarë në mendime rreth asaj se si do të ndikojë hapja e mundësive të integrimit për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë në procesin që po vazhdon me “gjashtëshen ballkanike”.

Disa mendojnë se mund ta përshpejtojë, sepse nuk do të ketë kuptim të lihen ende në pritje, por ka edhe të tillë që mendojnë se mund të ketë ndikim jo të mirë dhe të krijojë një grup, me të cilin BE-ja dëshiron të ketë lidhje të forta, por jo edhe ta integrojë në një të ardhme të afërt në radhët e veta.

Në këtë drejtim kanë shkuar edhe dy propozime: njëri nga presidenti i Francës, Emanuel Macron, dhe tjetri nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Michel ka propozuar krijimin e një “bashkësie gjeopolitike evropiane”, ndërsa Macron e ka emërtuar këtë si “bashkësi politike evropiane”.

Këto ide janë të ngjashme dhe kanë qëllim përafrimin maksimal të vendeve që nuk janë në BE me Bashkimin Evropian - pa pasur nevojë që të pritet anëtarësimi i tyre në BE.

Michel ka thënë se “në asnjë mënyrë, kjo nuk është menduar si zëvendësim për procesin e tashëm të zgjerimit, apo si arsyetim i ri për ngadalësimin e këtij procesi”. Macron ka përmendur kohëzgjatjen e procesit të zgjerimit, sipas procedurave aktuale, si argument për të propozuar ide për aranzhime të reja të raporteve mes BE-së dhe vendeve që duan “t’i ndajnë të njëjtat vlera”.

Por, të gjitha vendet që kanë aspirata për t’u bërë anëtare të plotfuqishme të BE-së, nuk do të kënaqën me premtime për lidhje të forta, sepse synojnë anëtarësimin e plotë në BE.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG