Partia Progresiste Serbe e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq pritet të fitojë 63 për qind të votave. Kështu thuhet në rezultatet preliminare të publikuara pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi, për të cilat u votua edhe në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Ky rezultat vjen pas thirrjeve për bojkot të zgjedhjeve nga një aleancë opozitare si dhe nga shqetësimet lidhur me pandeminë e koronavirusit.
Transmetuesi publik RTS publikoi rezultatet preliminare të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci.
"Sonte fituam një besim të madh për njerëzit, më i madhi ndonjëherë në Serbi, në kushte kur pak kush besoi dhe morëm një paralajmërim të madh nga njerëzit se duhet të jemi edhe më të përgjegjshëm dhe të arrijmë rezultatet më të mira të mundshme", tha presidenti i Partisë Progresiste Serbe dhe i Serbisë,Aleksandar Vuçiq, gjatë një fjalimi pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve.
“Ne fituam tmerrësisht bindshëm. Ne morëm më shumë se 2 milionë vota nga 3,3 milion qytetarë që dolën në votime”, tha Vuçiq.
Nëse këto shifra të kësaj nuk ndryshojnë derisa autoritetet zgjedhore të dalin me rezultatet përfundimtare, atëherë partia e Vuçiqit do të fitojë pushtetin edhe për një mandat katërvjeçar.
Sipas rezultateve të publikuara nga kjo organizatë joqeveritare, partia e dytë është Partia Socialiste me rreth 10,6 për qind të votave. Ndërkaq në vendin e tretë, partia e krahut të djathtë, Lidhja Patriotike Serbe ka fituar rreth 4 për qind të votave. Ndërkaq, partitë tjera pjesëmarrëse në zgjedhjet e 21 qershorit, kanë dështuar të kalojnë pragun për të hyrë në parlamentin prej 250 vendesh.
Në këto zgjedhje, për herë të parë pesë parti shqiptare kanë garuar në një listë të vetme. Sipas rezultateve preliminare, kjo listë pritet të fitojë së paku 3 ulëse në Parlamentin serb.
Sipas zyrtarëve zgjedhor në zgjedhjet në Serbi pjesëmarrja ishte rreth 49 për qind, prej 6,6 milionë qytetarëve me të drejtë vote.
Kjo është dalje më e ulët, krahasuar me zgjedhjet e mbajtura më 2016, ku pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 56,7 për qind.
Zgjedhjet në Serbi u mbajtën në kohën e pandemisë së koronavirusit. Qytetarët gjatë procesit të votimit u detyruan të vendosnin maska dhe të mbanin distancë fizike.
Serbët në Kosovë votuan për zgjedhjet e Serbisë
Në Kosovë, misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) “grumbulloi” votat e shtetasve serb, të cilat më pas u dërguan në Vranjë dhe Rashkë për numërim.
“Numërimi i votave do të jetë përgjegjësi e Komisionit Zgjedhor të Republikës së Serbisë”, tha OSBE-ja.
Sipas raportit preliminar të ekipeve të OSBE-së, numri i përgjithshëm i votave të mbledhura ka qenë 55,178 që i bie që 57,88 për qind e trupit votues kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës.
Sipas OSBE-së, në Kosovë, të drejtë vote në këto zgjedhje kanë pasur 95,334 qytetarë.
Këtë formë të votimit dhe transportimit të votave nga Kosova, Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ka cilësuar si jokushtetuese.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi se ka lejuar që të mbahen votimet për zgjedhjet serbe, sipas praktikave të mëhershme.
Votimi në Kosovë për zgjedhjet në Serbi, u mbajt në kohën kur autoritetet shëndetësore po regjistrojnë rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus. Votuesit, para se të hynin në vendvotime, iu shpërndanë maska dhe iu kërkua që të mbanin distancë.