Ndërlidhjet

KQZ miraton 19 qendra të votimit në veri, 13 prej tyre alternative


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Fotografi ilustruese.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Fotografi ilustruese.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës (KQZ) ka miratuar listën e qendrave të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e banuara më shumicë serbe, në veri të Kosovës.

Më 23 prill do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviqit.

Në këto komuna do hapen 19 qendra të votimit. Prej tyre, 13 do të jenë alternative apo në kontejnerë. Vendimi për këto qendra u miratua nga KQZ-ja, me tetë vota për dhe një abstenim, në mbledhjen që ky institucion ka mbajtur të premten.

“Nga 44 qendra të votimit - në të cilat zakonisht është zbatuar procesi zgjedhor në vitin 2021 , 2019 dhe më herët - tetë prej tyre kanë konfirmuar se mund t’i hapin ato. Duke u bazuar në vlerësimin e Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) dhe të organeve të sigurisë, është konstatuar se vetëm gjashtë qendra të votimit mund të hapen në lokacionet e zakonshme”, tha Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai shtoi se 13 qendra të votimit do të jenë alternative ose procesi i votimeve do të zhvillohet në kontejnerë, të cilat do sigurohen nga institucionet tjera.

Në proceset e mëhershme zgjedhore në komunat veriore të Kosovës, qytetarët kanë votuar në qendrat e votimit, të cilat ishin të vendosura në shkolla. Por, zgjedhjet e 23 prillit, votimi në shkolla është bërë i pamundur për shkak se ato kontrollohen nga strukturat që punojnë sipas sistemit të Serbisë, i cili i kundërshton zgjedhjet.

Vendimi për zgjedhjet e jashtëzakonshme është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Zgjedhjet fillimisht ishin paraparë të mbaheshin dhjetorin e kaluar, por u anuluan për shkak se grupe qytetarësh atje, shkaktuan incidente gjatë fazës së përgatitjeve.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar që të marrë pjesë në këto zgjedhje. Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG