Ndërlidhjet

Hegseth thotë se kthimi i Ukrainës në kufijtë e mëparshëm nuk është realist


Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, në një takim me aleatët ushtarakë të Ukrainës në selinë e NATO-s në Bruksel, më 12 shkurt 2025.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, në një takim me aleatët ushtarakë të Ukrainës në selinë e NATO-s në Bruksel, më 12 shkurt 2025.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se nuk është realiste të pritet që kufijtë e Ukrainës të kthehen ashtu si ishin para luftës. Pak orë më parë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte thënë se Kievi mund të ofrojë territorin e pushtuar nga forcat ukrainase në rajonin rus të Kurskut, në këmbim të tokës së pushtuar nga Rusia.

Hegseth, në udhëtimin e tij të parë jashtë SHBA-së pas konfirmimit në postin e ri, u tha aleatëve ushtarakë të Ukrainës në selinë e NATO-s në Bruksel më 12 shkurt se Uashingtoni nuk do të dislokonte trupa në Ukrainë në asnjë marrëveshje paqeje dhe se anëtarësimi në NATO nuk shihet nga Shtëpia e Bardhë si pjesë e zgjidhjes për këtë konflikt.

Ai shtoi se forcat amerikane nuk do të jenë pjesë e asnjë garancie sigurie në një marrëveshje për paqe.

"Ne duam, ashtu si ju, një Ukrainë sovrane dhe të pasur. Por, duhet të fillojmë duke e pranuar se kthimi në kufijtë e Ukrainës para vitit 2014 nuk është një cak realist", tha Hegseth në deklaratën më të drejtpërdrejtë publike deri tani nga një zyrtar amerikan mbi mënyrën se si presidenti Donald Trump synon t'i japë fund luftës që ka zgjatur pothuajse tre vjet.

"Që të jemi të qartë, si pjesë e çfarëdo garancie sigurie, nuk do të dislokohen trupa amerikane në Ukrainë", tha Hegseth para një grupi prej rreth 50 shtetesh anëtare që kanë mbështetur Ukrainën që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë në shkurt 2022.

Komentet e Hegseth vijnë pas një interviste të Zelenskyt me gazetën The Guardian, ku ai tha se synon ta ofrojë tokën ruse që forcat ukrainase e kanë kapur në rajonin Kursk të Rusisë në këmbim të territorit të pushtuar nga Rusia, nëse Ukraina dhe Rusia ulen për të biseduar për përfundimin e luftës.

“Ne do ta shkëmbejmë një territor për një territor tjetër”, tha Zelensky në një intervistë për gazetën britanike Guardian.

Megjithatë, ai shtoi se nuk e di se cilin territor do ta kërkonte Kievi nga Moska në këmbim të pjesës së rajonit të Kurskut.

“Nuk e di, do ta shohim. Por, të gjitha territoret tona janë të rëndësishme, nuk ka prioritet këtu”, tha Zelensky në intervistën e publikuar më 11 shkurt.

Në të kaluarën, Zelensky kishte hedhur poshtë mundësinë e dorëzimit të territorit të pushtuar nga Rusia, e cila e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Zelensky, i cili do të takohet me nënpresidentin amerikan JD Vance dhe zyrtarë të tjerë amerikanë më 14 shkurt në Konferencën e Sigurisë në Munih, tha se është i gatshëm për bisedime serioze.

Intervista u publikua vetëm disa orë para një tjetër sulmi vdekjeprurës me raketa ruse në Kiev.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaly Klitschko, tha se raketat goditën në orët e para të 12 shkurtit, duke e vrarë të paktën një person dhe duke plagosur tre të tjerë.

"Rusia kreu një sulm me raketa në Kiev dhe rajonin e Kievit", tha Andriy Yermak, kreu i zyrës së Zelenskyt. "Kështu dëshiron ta përfundojë luftën [presidenti rus Vladimir Putin]", shtoi ai në Telegram.

Shërbimet e urgjencës u thirrën në të paktën katër qarqe të kryeqytetit ukrainas, dhe administrata ushtarake tha se shpërthyen zjarre në disa ndërtesa, përfshirë në ndërtesa banimi.

Sulmet në rajonin e Sumit më 11 shkurt vranë të paktën dy civilë, plagosën dy të tjerë dhe shkaktuan dëme të mëdha në ndërtesa banimi dhe prona të tjera, tha shërbimi për shtyp i administratës ushtarake rajonale.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka qenë skeptik për vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kievin, po shtyn për një marrëveshje për përfundimin e luftës dhe ka rritur përpjekjet diplomatike ditët e fundit.

I dërguari i tij për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg, do të marrë pjesë gjithashtu në Konferencën e Sigurisë në Munih dhe më pas do të udhëtojë për në Ukrainë.

Trump është ankuar për koston e ndihmave që Shtetet e Bashkuara kanë derdhur në Ukrainë dhe ka thënë se SHBA-ja do të kërkojë diçka në këmbim.

"Ata mund të bëjnë marrëveshje, mund të mos bëjnë marrëveshje, mund të bëhet ruse një ditë, apo mund të mos bëhet ruse një ditë. Por, ne do t’i kemi të gjitha këto para atje dhe them se do t’i marrim ato para”, tha Trump më 10 shkurt në një intervistë për Fox News.

Zelensky i tha gazetës Guardian se vitin e kaluar i propozoi Trumpit idenë që Shtetet e Bashkuara do të kishin qasje primare në mineralet e rralla të Ukrainës si pjesë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.

Ai tha se Ukraina i ka rezervat më të mëdha të uraniumit dhe titanit në Evropë dhe ia bëri me dije Trumpit se nuk do të ishte në interesin e Shteteve të Bashkuara që këto rezerva të binin në duart e Rusisë dhe mbase të ndaheshin me Korenë e Veriut, Kinën ose Iranin.

Së fundmi, Trump ka përmendur mineralet e rralla si pjesë të një marrëveshjeje për luftën në Ukrainë dhe ka thënë se sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, do të udhëtojë në Ukrainë për të diskutuar për mineralet e rralla.

Zelensky tha se synon t’u paraqesë zyrtarëve të administratës Trump "një plan më të hollësishëm" për mineralet e rralla dhe mundësitë e tjera për kompanitë amerikane, si pjesë e rindërtimit të Ukrainës pas luftës.

Ai theksoi gjithashtu se mbështetja ushtarake amerikane mbetet thelbësore për sigurinë e Ukrainës.

"Garancitë e sigurisë pa Amerikën nuk janë garanci të mirëfillta të sigurisë", tha ai, duke bërë një tjetër thirrje për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, Patriot, të prodhuara nga SHBA-ja.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG