Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se është i gatshëm të heqë dorë nga pozita që ka, për të arritur paqe, duke thënë se këtë mund ta bëjë në këmbim të anëtarësimit të shtetit të tij në NATO.
Zelensky i ka bërë këto deklarata në prag të shënimit të përvjetorit të tretë të luftës së Rusisë në shtetin e tij, teksa rritet presioni nga Uashingtoni, që synon t’i japë fund konfliktit.
“Nëse do të ketë paqe për Ukrainën, nëse më duhet të largohem nga pozita ime, unë jam gati, mund ta këmbejë atë për anëtarësim në NATO”, ka thënë Zelensky në një konferencë për media në Kiev, duke thënë se do të largohej “menjëherë”, nëse do të ishte e nevojshme.
Pas një jave të ngjeshur me deklarime publike dhe kritika prej homologut të tij amerikan, Donad Trump, Zelensky ka thënë se dëshiron që Trump të vizitojë Ukrainën, dhe që është “mirënjohës” për mbështetjen amerikane gjatë luftës.
“Dua jashtëzakonisht shumë që të kem mirëkuptim me Trumpin”, ka thënë Zelensky në një konferencë për media në Kiev, duke shtuar se “garancitë e sigurisë prej Trumpit janë shumë e nevojshme”.
Megjithatë, Zelensky ka ngritur pikëpyetje nëse ndihma amerikane ka kapur vlerën e 500 miliardë dollarëve, siç ka thënë Trump, duke thënë se shifra e afërt është rreth 100 miliardë. Ai ka thënë se nuk do t’i konsiderojë grantet paraprake amerikane si hua.
Çarjet transatlantike
Komentet e tij kanë ardhur mes shqetësimeve për çarje të aleancës transatlantike, pasi Uashingtoni ka mbajtur bisedime të nivelit të lartë me Moskën.
Më herët gjatë javës, presidenti amerikan, Trump, e ka kritikuar Zelenskyn dhe ka sugjeruar se ai është përgjegjës për nisje të konfliktit, ndonëse më vonë është tërhequr nga këto komente, në një intervistë për Fox News, duke thënë se Zelensky nuk do të duhej të lejojnë Rusinë të niste sulmin.
Zelensky e ka rritur tensionin në Uashington, kur ka thënë se Trump jeton në një “hapësirë dezinformatash”.
Trump, po ashtu, ka sugjeruar se Zelensky mund të mos jetë i nevojshëm në bisedimet për paqe, dhe ka kërkuar qasje në mineralet e rralla të Ukrainës, si kompensim për ndihmën e ofruar amerikane deri më tani.
Ndihmësi i Trumpit, Steve Witkoff ka thënë për rrjetin televiziv CNN, më 23 mars, se pret që marrëveshja për minerale të nënshkruhet në ditët në vijim.
Zelensky ka thënë se marrëveshja duhet të përfshijë garanci të sigurisë për Ukrainën dhe që angazhimi i trupave amerikane në shtetin e tij, si forcë paqeruajtëse, do të ishte hap logjik.