Ndërlidhjet

Zelensky: Situata në Harkiv shumë e vështirë, por “përgjithësisht nën kontroll”


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, merr pjesë në një takim me zyrtarët e lartë të ushtrisë ukrainase në rajonin e Harkivit, Ukrainë, 16 maj 2024.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, merr pjesë në një takim me zyrtarët e lartë të ushtrisë ukrainase në rajonin e Harkivit, Ukrainë, 16 maj 2024.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, thotë se situata në verilindje të rajonit Harkiv, ku forcat ruse kanë çarë përpara me një ofensivë të gjerë prej javës së kaluar, vazhdon të jetë shumë e vështirë, por “përgjithësisht nën kontroll”.

Zelensky e vizitoi Harkivin më 16 maj, ku u takua me udhëheqësit ushtarakë, me të cilët bisedoi për gjendjen në Vovçansk dhe Liptsi, dy zona ku po zhvillohen luftime të ashpra tash e disa ditë.

“Deri më sot, situata në rajonin e Harkivit është përgjithësisht nën kontroll, ushtarët tanë po i shkaktojnë humbje të mëdha pushtuesit. Megjithatë, fronti atje mbetet shumë i vështirë dhe ne po i përforcojmë njësitë tona”, tha Zelensky në Telegram.

Vovçansk dhe Liptsi, dy qyteza të vogla vetëm 5-10 kilometra larg kufirit me Rusinë, janë bombarduar pareshtur nga artileria ruse prej se trupat e Moskës e nisën ofensivën në këtë zonë më 10 maj, duke i detyruar rreth 9.000 civilë të evakuohen.

Të dyja këto qyteza ndodhen pranë Harkivit, qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, i cili kishte një popullsi prej 1.4 milion banorësh para luftës.

Analistët ushtarakë, megjithatë, thonë se forcat ruse nuk duket të kenë kapacitet për ta kërcënuar Harkivin. Instituti Amerikan për Studimin e Luftës vlerëson se trupat ruse nuk kanë përparuar më shumë se 8 kilometra brenda Ukrainës.

Harkivi ndodhet rreth 35 kilometra larg kufirit rus.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi më 16 maj se forcat ukrainase i prishën planet e ushtrisë ruse për t’u futur më thellë brenda Vovçanskut.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, i akuzoi forcat ruse për ndalimin dhe vrasjen e cilëve të cilët nuk kishin arritur të evakuoheshin nga Vovçansku me kohë.

“Trupat ruse nuk i lejuan banorët të evakuohen. Njerëzit po kidnapohen dhe po durohen në bodrume”, tha Klymenko.

“Një banor i Vavçanskut i cili tentoi të ikte në këmbë dhe i shpërfilli urdhrat e pushtuesve – u vra nga rusët”, shtoi ai.

Mëngjesin e 16 majit, në kryeqytetin ukrainas, Kiev, dhe në disa rajone të tjera, u lëshuan sirena për të paralajmëruar sulme ajrore. Forcat Ajrore të Ukrainës paralajmëruan për rrezikun nga raketat balistike ruse.

Forcat ruse i kanë sulmuar vazhdimisht civilët në rajonet e Ukrainës, duke vrarë shumë njerëz, përfshirë fëmijë, dhe duke shkaktuar dëme në infrastrukturën civile dhe energjetike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG