Ndërlidhjet

Zbatimi i marrëveshjeve, peng i rinegociimit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell. Bruksel, 29 prill, 2021.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell. Bruksel, 29 prill, 2021.

Qeveria e Kosovës dhe kryeministri, Albin Kurti duhet të ndërtojnë pozicion të qartë në raport me Bashkimin Evropian për marrëveshjet e arritura deri më tash në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, thotë Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Të mërkurën, më 9 qershor, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka paralajmëruar se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë më 15 qershor, në Bruksel, ku do të takohen për herë të parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai gjithashtu ka theksuar që Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare presin angazhim të vazhdueshëm nga të dyja palët për përfshirje në këtë dialog, si dhe për zbatim të të gjitha marrëveshjeve të kaluara.

“Kjo do të thotë që gjithçka që është rënë dakord, duhet të zbatohet”, ka thënë Stano.

Më herët, kryeministri Kurti, pati deklaruar se qeveria e tij do të angazhohet për rishikimin e marrëveshjeve të arritura më herët, në kuptimin e zbatimit të tyre, por edhe të ndikimit që kanë për qytetarët.

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e shohin në mënyra të ndryshme vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, por edhe çështjen e marrëveshjeve të arritura deri më tash.

Krasniqi: Qeveria të qartësojë “rishikimin e marrëveshjeve”

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës thekson se kryeministri Kurti tashmë e ka bërë të ditur se do të angazhohet për rishikimin e marrëveshjeve të deritashme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Por, sipas saj, kryeministri Kurti ende nuk ka dhënë informacione nëse ky rishikim i marrëveshjeve nënkupton që ka një gatishmëri apo një kërkesë nga pala e Kosovës për rinegociim të këtyre marrëveshjeve apo për moszbatim të tërësishëm të tyre.

Ndër marrëveshjet e deritashme, sipas saj është edhe ajo për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e të cilën, Qeveria e Kosovës e konsideron problematike.

Siç thotë Krasniqi, Kosova më parë e pati shprehur gatishmërinë e saj për formimin e këtij Asociacioni, sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila në vitin 2015 kishte konstatuar se në 23 pika të marrëveshjes, parimet nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

“Por, duket që Bashkimi Evropian kërkon një tjetër version. Kërkon që prapë të ketë negocim në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe të arrihet një pajtim i ri rreth kësaj marrëveshje, në mënyrë që kjo të bëhet me Serbinë së bashku. Ndërkohë, këtë pozicion nuk e mbështet Kosova. Pra, duhet të shohim që të ketë pak më shumë qartësim rreth pozicionit të Kosovës, më shumë qartësim rreth këtij takimit të parë. Të shohim se çfarë do të ndodhë dhe se si do të procedohet më tutje me marrëveshjet, se a do të rivlerësohen dhe a do të rinegociohen, sepse nëse hyjmë në rinegociim të Marrëveshjes së Asociacionit, atëherë hapet rruga për rinegociim edhe të gjitha marrëveshjeve”, theksoi Krasniqi.

Partitë opozitare me qasje të ndryshme

Lidhur me vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe çështjen e marrëveshjeve të arritur në këtë proces, partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë qasje të ndryshme.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se qeveria aktuale e vendit ka dështuar në çështjen e dialogut. Në një paraqitje në forumin “Fol hapur”, më 9 qershor, Hoxhaj ka thënë se kryeministri Kurti, paraprakisht ka vënë dy kushte për fillimin e dialogut me Serbinë, kërkim-faljen nga Serbia dhe kthimin e personave të pagjetur.

“Ai (Kurti) ka pretenduar që kurrë, asnjëherë, ai personalisht dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk do të ulen me Vuçiqin, pa kërkuar falje Serbia për gjenocid. Ne presim, deri më 15 qershor, që Serbia ta bëjë një gjë të tillë ose që zoti Kurti të mos shkojë në takim”, ka thënë Hoxhaj.

Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se dialogu i Kosovës me Serbinë duhet të vazhdojë, sipas parimeve që i ka pasur edhe qeveria e kaluar e udhëhequr nga ish-kryeministri, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Dialogu duhet të vazhdojë me parimet bazë që do të kemi një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe se nuk do të pajtohemi për asgjë përderisa të pajtohemi për gjithçka. Së dyti, integriteti territorial është i patjetërsueshëm dhe së treti, karakteri unitar i shtetit të Kosovës është i patjetërsueshëm”, theksoi Gashi.

Në mjaft raste, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive, që është kërkesë e autoriteteve të Serbisë, nga spektri politik në Kosovë është parë si mënyrë që e cenon karakterin unitar të shtetit të Kosovës.

Lidhur me atë se çfarë do të ndodhë me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kryeministri Albin Kurti, më 1 qershor, ka deklaruar që “në Kosovë nuk mund të kemi asociacion njëetnik” dhe se është e domosdoshme që të integrohen të gjithë qytetarët, pa dallim etnie.

BE-ja kërkon negocim të ri për Asociacionin

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë që mbetet pikëpyetje se cili është statusi ligjor i marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialogun e Brukselit, për shkak se ato quhen dakordime. Sipas saj, ato dakordime madje nuk janë të nënshkruara nga palët dhe nuk janë të ratifikuara nga kuvendet në Kosovë dhe në Serbi, përveç marrëveshjes së vitit 2013, e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Lidhur me çështjen e Asociacionit, sipas saj, tashmë është qartë se cilat janë kërkesat e Bashkimit Evropian, por, siç thotë ajo, Kosova tashmë e ka pozicionin e saj për këtë çështje dhe duhet ta artikulojë atë para Bashkimit Evropian dhe para Serbisë.

“Marrëveshja e vitit 2013 është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe për t’u ndryshuar ajo, duhet të anulohet ratifikimi. Gjithsesi, ajo që po kërkohet nga Kosova nuk është zbatim i drejtpërdrejtë të provizioneve (të marrëveshjes) të vitit 2013, por po kërkohet një rinegociim, meqë thuhet se duhet të ketë një dakordim me Serbinë. Marrëveshja nuk e parasheh dakordimin me Serbinë. Më 2015, Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë (Marrëveshjen për Asociacionin). Pra, do të ketë presion, si ndaj Kosovës ashtu edhe ndaj Serbisë. Prandaj duhet të ketë një përgatitje të mirë, duhet të ketë pozicione të qarta dhe të shohim se si do të shkojnë përpara negociatat”, u shpreh Krasniqi.

Duke u bazuar në deklaratat e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, se për “gjithçka që është rënë dakord, duhet të zbatohet”, Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjen se a do të angazhohet për zbatimin marrëveshjeve të deritashme të arritura në dialogun me Serbinë, përfshirë edhe Marrëveshjen për Asociacionin.

Deri në publikimin e këtij teksti, Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG