Kreu i grupit rus të mercenarëve, Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka hedhur poshtë raportimet e një gazete amerikane, se ai kishte ofruar që të tradhtonte pozicionet ruse, teksa Kremlini i quajti “mashtrim” këto pretendime.
The Washington Post, duke cituar rrjedhje të informacioneve nga inteligjenca amerikane, tha se shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, në janar i kishte ofruar inteligjencës ukrainase zbulimin e lokacioneve të trupave të rregullta ruse në këmbim që Ukraina të tërhiqte trupat e saj nga Bahmuti.
Ushtarët e Wagner-it kanë udhëhequr betejnë disamujore për marrjen e kontrollit të Bahmutit, që gjendet në rajonin lindor të Donjeckut. Beteja për këtë qytet po konsiderohet si beteja më e përgjakshme që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Prigozhin shpesh ka kritikuar udhëheqjen ushtarake ruse, duke akuzuar komandantët se po tradhtojnë ushtarët e tyre duke mos i furnizuar me municione të mjaftueshme.
The Washington Post raportoi se oferta e Prigozhinit ishte refuzuar nga Ukraina, e cila nuk e kishte besuar atë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ky raportim “duket se është mashtrimi i radhës”.
Në një audio-mesazh të publikuar në Telegram të hënën, Prigozhin i quajti këto pretendime “të pakuptimta”.
Prigozhin mohoi se është takuar me Kyrylo Budanov, kreun e inteligjencës ushtarake të Ukrainës, në Afrikë, duke shtuar se nuk ai nuk ka qenë në kontakt me të që nga nisja e konfliktit në Ukrainë. Madje, Prigozhin tha se është "qesharake" ideja që të dy kanë zhvilluar një bisedë telefonike.
Që nga java e kaluar, forcat ukrainase kanë bërë përparimet më të mëdha në gjashtë muaj, duke rimarrë kontrollin e disa territoreve përreth Bahmutit.