Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha më 11 mars se nuk do të ketë njohje “as de facto dhe as de jure” të pavarësisë së Kosovës, transmeton Beta.
“Nuk do të jem unë ai që do ta nënshkruaj pavarësinë e Kosovës, më vjen turp të shkoj nëpër Serbi dhe të justifikohem para askujt. Nuk ka dorëzim, ne nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës as de facto, as de jure, por ne duam paqe me shqiptarët, duam marrëdhënie të mira”, tha ai Vuçiq në Vranjë, në jug të Serbisë.
Ai po ashtu tha më 11 mars se shpreson që deri në fund të vitit të mund ta vizitojë Kosovën, raporton Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).
Vuçiq tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar se nuk do ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse nuk është në përputhje me ligjet e Kosovës.
“Ne po përgatitemi për bisedime të hënën dhe të martën, dhe pas kësaj do të shkojmë në Ohër. Më besoni se nuk e kam të qartë se për çfarë të flasim atje”, tha ai pas gjatë takimit të partisë së tij politike, Partisë Progresive Serbe.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do ta vizitojë Beogradin më 13 dhe 14 mars.
Lajçak ka qëndruar në Kosovë më 9 dhe 10 mars. Fillimisht ai takoi presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Pas takimit me Lajçakun, Kurti, u shpreh i gatshëm që më 18 mars në Ohër ta nënshkruajë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Më 10 mars, ai zhvilloi bisedime me partitë opozitare në Kosovë dhe përfaqësues të Listës Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, rreth propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Lajçak tha se qëllimi i vizitës së tij dyditore është që të dëgjojë qëndrimin e Kosovës lidhur me propozimin evropian për normalizim, për të cilin palët u pajtuan gjatë takimit të 27 shkurtit, në mënyrë që në takimin e radhës në Ohër, palët të mund të bëjnë hapin e radhës, atë të finalizimit të marrëveshjes. Tani, BE-ja po punon me palët në planin e zbatimit të këtij propozimi.
Propozimi përbëhet nga 11 nene. Aty nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.
Propozimi përfshin zotimin e palëve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë negociata për arritjen e normalizimit të plotë të raporteve nën ndërmjetësimin e BE-së.