Pas shtatë vjetësh bisedime me Prishtinën mund t’ju them se nuk kemi humbur asgjë pos asaj që ka qenë e humbur, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Kemi fituar paqe dhe siguri më të madhe për serbët në Kosovë dhe, çfarë është më e rëndësishmja, mundësinë për të vazhduar luftën tonë”.
“Po përpiqemi ta kthejmë Serbinë në jetë dhe bisedime, të ruajmë paqen dhe stabilietin politik”, tha Vuçiq.
Ai i bëri këto komente në Parlamentin Popullor të Serbisë, ku të hënën paraqiti një raport të tij për Kosovën.
“Beogradi zyrtar ka marrë pjesë në bisedime me Prishtinën, sepse vetëm për shtatë vjet të qeverisjes së Sllobodan Millosheviqit kemi ardhur te konflikti në Kosovë dhe humbja e sovranitetit mbi Kosovën”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se gjatë tetë vjetëve të qeverisjes së Partisë Demokratike të Serbisë, e cila tani është në opozitë, është shpallur pavarësia e Kosovës.
"Ju duhet të negocioni jo sepse doni, por sepse doni të fitoni kohë për Serbinë", tha Vuçiq, duke shtuar se dialogu ka qenë në interes edhe të serbëve, edhe të shqiptarëve.
"Gjatë periudhës së dialogut, kemi arritur të ruajmë paqen dhe stabilitetin. Gjatë dialogut, nuk ka pasur viktima të konflikteve ndëretnike, as vrasje, përveç vrasjes së Oliver Ivanoviqit (v.j. politikan serb në veri të Kosovës). Gjatë kohëzgjatjes së dialogut, nuk ka pasur krizë intensive të sigurisë, por në të kemi hyrë kur dialogu është ndërprerë", tha Vuçiq.
Vuçiq është tërhequr nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, prejse kjo e fundit, në nëntor të vitit të kaluar, u ka vënë taksë 100% mallrave të importuara nga Serbia.
Vuçiq ka thënë se nuk do t’i rikthehet procesit, i cili ka nisur në vitin 2011, derisa kjo taksë mbetet në fuqi, por kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka këmbëngulur se ajo nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën.
Presidenti serb e shprehu qëndrimin e njëjtë edhe gjatë fjalimit të hënën, ndërsa tha se Prishtina, në bazë të veprimeve të saj, “është e qartë se nuk dëshiron dialog”.
"Ka mundësi që nuk do të arrijmë kompromis në pesë apo dhjetë vjetët e ardhshëm dhe kjo do të kishte pasoja katastrofike si për shqiptarët, ashtu edhe për serbët. Marrëveshja dhe kompromisi nuk janë humbje, por fitore", tha Vuçiq dhe shtoi se është koha që të zgjidhet midis "gënjeshtrave të ëmbla dhe të vërtetës së hidhur".
“Puna ime si president shteti është që njerëzve t’iu them të vërtetën, sado e pakëndshme të jetë. Por, mos mendoni se nuk do të luftoj për popullin tonë në Kosovë”, tha Vuçiq.
Sipas tij, të gjithë duhet të pyeten nëse Serbia mund të llogarisë në të drejtën ndërkombëtare sa i përket Kosovës, pasi “ajo është bombarduar në mënyrë të paligjshme për shkak të Kosovës, në vitin 1999”.
Vuçiq po ashtu pyeti nëse Serbia ka të drejtë të krijojë armiqësi me vendet prej të cilave varet e ardhmja e saj.
Në seancë morën pjesë 156 deputetë, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ministrat dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Megjithatë, një pjesë e opozitës, e cila tash e sa kohë e bojkoton punën e Parlamentit, nuk ishte e pranishme. Sipas saj, seanca për Kosovën është vetëm një tjetër "mashtrim" i Qeverisë së Serbisë.