Ndërlidhjet

Vuçiq e quan “mashtrim të radhës” njoftimin e Kosovës për draft-statutin për Asociacionin


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e quajti “mashtrim dhe përpjekje joserioze” nga Kosova njoftimin se ajo synon ta hartojë një draft-statut për themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe në vend.

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha të enjten në mëngjes se ia ka dërguar një letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se Kosova do ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin, për ta dorëzuar pastaj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, dhe se pret nga ai ta pranojë Kosovën si anëtaren më të re këtë javë.

Vuçiq tha në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së, që po mbahet në Kotorr, se Kosova nuk mund ta bëjë një draft-statut të tillë pa pajtimin e shtetit fqinj.

“Kush jeni ju ta dorëzoni këtë tekst [draft-statut]? Marrëveshja e Brukselit është mjaft e qartë, se ai duhet të bëhet me pajtimin e Serbisë, apo nëse ne pajtohemi, siç jemi pajtuar kontekstualisht, konceptualisht dhe në parim se duhet të jetë një tekst i dorëzuar nga BE-ja”, tha Vuçiq, raporton Radio Televizioni i Serbisë (RTS).

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se “po ndodh një tentim i madh për mashtrim” dhe se letra u dërgua në çastin e fundit, para takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës këtë javë.

“Është një mashtrim i pastër, përmes të cilit Kurti dëshiron ta shmangë detyrimin e tij nga dialogu”, tha Petkoviq.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin dy herë në dialogun mes vete nën ndërmjetësimin e BE-së, më 2013 dhe më 2015.

Por, Gjykata Kushtetuese tha më 2015 se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore.

Deri më tani, për themelimin e Asociacionit janë prezantuar disa draft-statute, përfshirë një të Bashkimit Evropian fundvitin e kaluar, por edhe nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).

Qeveria e Kosovës vazhdimisht është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

Petkoviq tha se statuti përfundimtar i Asociacionit “negociohet dhe aprovohet” në dialogun e nivelit të lartë në Bruksel, në mënyrë që të mos jetë “veprim i njëanshëm i Prishtinës”.

“Është e pamundur për organizatat joqeveritare ta shkruajnë statutin e Asociacionit, aq më tepër që një dokument i tillë të maskohet si një lloj propozimi zyrtar”, tha Petkoviq, duke iu përgjigjur deklaratës së Gërvallës se Kosova do ta hartojë statutin frymëzuar nga ai i propozuar nga FES.

Njoftimi i Gërvallës për zotimin e Kosovës për ta hartuar dhe dërguar në Kushtetuese një statut për Asociacionin vjen pasi disa vende, si Gjermania dhe Franca, kanë kërkuar nga Kosova që të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit, për t’i bindur qeveritë skeptike që të votojnë në favor të saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Qeveria e Kosovës, fillimisht, e ka refuzuar këtë kusht.

Asambleja Parlamentare e KiE-së ka votuar për pranimin e Kosovës më 16 prill dhe vendimi përfundimtar ka kaluar te Komiteti i Ministrave, i cili mblidhet më 16 dhe 17 maj.

Por, Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë se nuk pret që Kosova të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë.

XS
SM
MD
LG