Ndërlidhjet

Vuçiq nga Budapesti: Qeveria do të formohet nga fituesit e zgjedhjeve


Kryeministri hungarez, Viktor Orban (djathtas) me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Budapest. 17 shkurt 2025.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban (djathtas) me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Budapest. 17 shkurt 2025.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën në Budapest se Qeverinë e re të Serbisë mund ta formojnë vetëm ata që i fitojnë zgjedhjet.

“Pra, fitojini zgjedhjet dhe formojeni Qeverinë,” ka thënë Vuçiq, si përgjigje ndaj vlerësimit të Iniciativës qytetare “Proglas” se formimi i një Qeverie të përkohshme mund të jetë “dalje e arsyeshme dhe më pak e dhimbshme nga kriza”.

Tash e tre muaj në Serbi po mbahen protestat e organizuara nga studentë dhe qytetarë tjerë serbë, të cilët kërkojnë përgjegjësi për shembjen e një pllake betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, si pasojë e së cilës kanë vdekur 15 persona dhe dy tjerë janë plagosur rëndë.

Millosh Vuçeviq ka dhënë dorëheqje me 28 janar nga pozita e kryeministrit, si përgjigje për protestat. Megjithatë, studentët janë zotuar se do t'i vazhdojnë protestat.

Vuçiq në Budapest, ku është nderuar me Urdhrin e Kryqit të Madh për Merita, ka përsëritur se disa faktorë të jashtëm kanë tentuar të organizojnë një “revolucion me ngjyra” në Serbi, por nuk ka përmendur diçka në mënyrë specifike.

“Jam pothuajse i sigurt se e kemi mposhtur atë sfidë të jashtme”, ka thënë mes tjerash presidenti serb.

Ai e ka falënderuar edhe ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, që, sipas tij “dënoi përpjekjen për revolucion me ngjyra në Serbi”, duke thënë se “Rusia e di se si duket kjo gjë”.

Lavrov, gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, në Moskë, ka thënë se Rusia dënon ndërhyrjen e vendeve të tjera, veçanërisht atyre perëndimore, në proceset e brendshme politike të Serbisë.

“Revolucioni me ngjyra” në fakt iu referohet ndryshimeve të regjimeve autoritare në hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik, si Revolucioni i Portokalltë në Ukrainë në vitet 2004-2005.

Vuçiq bëri të ditur se të martën, më 18 shkurt, do të ketë takime të rëndësishme në Beograd lidhur me Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), ndaj së cilës Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione për shkak të pronësisë ruse, por nuk ka specifikuar se me kë do të bisedojë.

I pyetur nëse pret që administrata e re amerikane të ndryshojë vendimin për sanksionet ndaj NIS-it, ai ka thënë se nuk është i sigurt.

“Nuk jam i sigurt që amerikanët do ta ndryshojnë këtë gjë kaq lehtë, por do të ishte logjike dhe e shpresoj”, ka deklaruar ai.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë se si Serbia, ashtu edhe Hungaria kanë arritur rezultate të rëndësishme pavarësisht “presionit nga organizatat e shoqërisë civile”.

Dy liderët kanë përsëritur edhe një herë se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Hungarisë janë miqësore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG