Ndërlidhjet

Vuçiq thotë se nuk e ka ndryshuar vendimin për ta vizituar Moskën


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të mërkurën se nuk e ka ndryshuar vendimin për të udhëtuar në Rusi, për të marrë pjesë në festën ruse të “Ditës së Fitores” në Luftën e Dytë Botërore, më 9 maj në Moskë.

Në një fjalim drejtuar publikut, Vuçiq tha se do të jetë në kryeqytetin rus me një njësi të Ushtrisë së Serbisë, e cila do të marrë pjesë në ceremoni.

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, i ka paralajmëruar liderët e Ballkanit të mos marrin pjesë në paradën e “Ditës së Fitores” të Vladimir Putinit në Moskë muajin e ardhshëm.

“E kemi bërë shumë të qartë që nuk duam që asnjë vend kandidat [i BE-së] të marrë pjesë në këto ngjarje më 9 maj në Moskë”, tha Kallas të hënën, duke iu referuar kryesisht gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që shpresojnë t’i bashkohen bllokut.

Vuçiq theksoi se “deri në këtë moment” nuk e ka ndryshuar vendimin për udhëtimin e tij, duke shtuar “do të shohim si do të rrjedhin gjërat”.

“Nuk e di çfarë lloj sanksionesh mund të vendosen, a do të mund ta përballojë ushtria këtë presion apo jo”, u shpreh ai, duke folur për masat e mundshme ndëshkuese nga Perëndimi për shkak të pjesëmarrjes në paradën në Moskë.

Vuçiq tha gjithashtu se nuk ka qenë në Moskë për më shumë se tri vjet dhe se nuk është takuar zyrtarisht me Putinin që nga nëntori i vitit 2021, “për dallim nga shumë liderë evropianë”.

Pavarësisht thirrjeve nga Brukseli, Serbia vazhdon të mos pranojë të vendosë sanksione ndaj Rusisë, më shumë se tri vjet pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG