Ndërlidhjet

Vuçiq: Me tërheqjen e Kushnerit, Serbia humbi 750 milionë euro investime

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Dëm i madh iu bë Serbisë”, tha presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, pas lajmit se kompania e Jared Kushnerit - dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump - po tërhiqej nga projekti i planifikuar për ndërtimin e një kompleksi luksoz në Beograd.

Në vendin ku gjendeshin ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, të shkatërruara gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999, kompania investuese “Affinity Partners” kishte planifikuar një kompleks banimi dhe biznesi me markën Trump.

Vuçiq tha se për shkak të “gjuetisë së shtrigave” që u bë ndaj investitorit dhe ndërtimit, Serbia humbi një investim të vlefshëm prej së paku 750 milionë eurosh.

“E humbëm një mundësi të madhe. Sot flitet keq për Serbinë, sepse disa thonë se ky ishte një projekt i keq. Një projekt më i vogël, ose më i dobët, që u bë me ngut në Shqipëri, ka marrë shumë vëmendje dhe do të ketë publicitet të shkëlqyer, sepse e gjithë familja Trump do ta lavdërojë”, tha Vuçiq, duke iu referuar planit të Kushnerit për investime në Ishullin e Sazanit në Shqipëri.

“Duket se disa popuj i kuptojnë më mirë vendimet e udhëheqësve të tyre sesa populli ynë, ose një pjesë e opozitës sonë politike - e gatshme të veprojë kundër interesave të vendit të vet”, shtoi Vuçiq.

Projektit në Serbi iu kundërvunë protestuesit antiqeveritarë, opozita dhe ekspertët, të cilët mbështesin ruajtjen e statusit të monumentit kulturor dhe rindërtimin e ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm.

Njoftimi për tërheqjen e kompanisë së Kushnerit u publikua më 15 dhjetor - në ditën kur Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit serb të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, për shkelje ligjore gjatë heqjes së statusit të monumentit kulturor ndaj ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm.

Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, kompania investuese “Affinity Partners” tha se “vizioni ynë për projektin në Beograd ishte të ofronim një dizajn elegant dhe frymëzues, që pasqyronte përparimin e Serbisë”.

“Jemi krenarë për arkitekturën që ka krijuar ekipi ynë. Sepse, projektet me kuptim duhet të bashkojnë, jo të ndajnë, dhe nga respekti për popullin e Serbisë dhe për qytetin e Beogradit, ne po e tërheqim aplikimin tonë dhe po e bëjmë një hap pas në këtë moment”, thuhet në deklaratë.

Vuçiq fajësoi Prokurorinë dhe “bllokuesit” - siç i quan ai protestuesit antiqeveritarë që protestojnë për më shumë se një vit kundër Qeverisë së udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe.

“Personalisht, do të kujdesem që të gjithë ata që kanë kontribuar në shkaktimin e këtij dëmi, të përgjigjen”, tha presidenti serb.

Ai paralajmëroi se do të “paraqesë personalisht kallëzime penale” kundër “të gjithë atyre që morën pjesë në ‘gjuetinë e shtrigave’ dhe shkatërrimin e investimit”, duke i akuzuar për “dëm ekonomik ndaj Serbisë”.

Ai i hodhi poshtë akuzat për korrupsion në këtë projekt.

“Kurrë nuk ka pasur korrupsion, e as nuk ka qenë qëllimi i tij”, tha Vuçiq.

Kulla Trump në Beograd: Monumenti i bombarduar nga NATO-ja, në qendër të mosmarrëveshjes

Ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë në qendër të Beogradit, e fotografuar pak pas ndërtimit, më 1965.<br><br>Objekti ishte menduar për të qenë seli e ushtrisë jugosllave, dhe ishte projektuar për të imituar kanionet që rrethojnë lumin Sutjeska në Bosnje dhe Hercegovinën e sotme, ku ishte zhvilluar një betejë e rëndësishme në Luftën e Dytë Botërore.
1/12 Ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë në qendër të Beogradit, e fotografuar pak pas ndërtimit, më 1965.

Objekti ishte menduar për të qenë seli e ushtrisë jugosllave, dhe ishte projektuar për të imituar kanionet që rrethojnë lumin Sutjeska në Bosnje dhe Hercegovinën e sotme, ku ishte zhvilluar një betejë e rëndësishme në Luftën e Dytë Botërore.
Zjarri i lëshuar nga një sistem gjurmues kundërajror mbi Beograd në natën kur ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm është goditur nga dy sulme të ndara me raketa të NATO-s, më 29 prill 1999. Sulmet janë kryer në kohën e fushatës bombarduese gjatë luftës në Kosovë.
2/12 Zjarri i lëshuar nga një sistem gjurmues kundërajror mbi Beograd në natën kur ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm është goditur nga dy sulme të ndara me raketa të NATO-s, më 29 prill 1999. Sulmet janë kryer në kohën e fushatës bombarduese gjatë luftës në Kosovë.
Ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm, menjëherë pas sulmeve të kryera nga NATO-ja në prill të vitit 1999. Në ndërtesë nuk ka pasur njerëz, mirëpo dy njerëz janë vrarë në rrugën në afërsi. Ndërtesa është goditur sërish nëntë ditë më vonë, në disa sulme të ndara.<br>
3/12 Ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm, menjëherë pas sulmeve të kryera nga NATO-ja në prill të vitit 1999. Në ndërtesë nuk ka pasur njerëz, mirëpo dy njerëz janë vrarë në rrugën në afërsi. Ndërtesa është goditur sërish nëntë ditë më vonë, në disa sulme të ndara.
Rrënojat në rrugët në afërsi të ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit, pas sulmit të dytë ndaj objektit në natën e 7 majit 1999. Presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton i ka përshkruar bombardimet e Jugosllavisë si mënyrë “për të ndalur një ofensivë edhe më të përgjakshme kundër civilëve të pafajshëm shqiptarë në Kosovë“, nga ana e forcave serbe.
4/12 Rrënojat në rrugët në afërsi të ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit, pas sulmit të dytë ndaj objektit në natën e 7 majit 1999. Presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton i ka përshkruar bombardimet e Jugosllavisë si mënyrë “për të ndalur një ofensivë edhe më të përgjakshme kundër civilëve të pafajshëm shqiptarë në Kosovë“, nga ana e forcave serbe.
Pamja prej zyrës së ish-ministrit të Jashtëm jugosllav, Zhivadin Jovanoviq, e cila është dëmtuar gjatë sulmeve të prillit 1999 në ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm. Më 2005, ndërtesës së dëmtuar i është dhënë statusi i zonës së mbrojtur si trashëgimi kulturore, por është lënë ashtu në rrënoja.
5/12 Pamja prej zyrës së ish-ministrit të Jashtëm jugosllav, Zhivadin Jovanoviq, e cila është dëmtuar gjatë sulmeve të prillit 1999 në ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm. Më 2005, ndërtesës së dëmtuar i është dhënë statusi i zonës së mbrojtur si trashëgimi kulturore, por është lënë ashtu në rrënoja.
Objekti i shkatërruar nga dëmet e bombardimeve më 2014. Selia është kthyer në një qendër përkujtimore për ata që u vranë gjatë fushatës ajrore të udhëhequr nga Perëndimi në Serbi.
6/12 Objekti i shkatërruar nga dëmet e bombardimeve më 2014. Selia është kthyer në një qendër përkujtimore për ata që u vranë gjatë fushatës ajrore të udhëhequr nga Perëndimi në Serbi.
Pamje prej lart që tregon lokacionin e ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm (qendër, djathtas) në qendër të Beogradit.
7/12 Pamje prej lart që tregon lokacionin e ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm (qendër, djathtas) në qendër të Beogradit.
Aleksandar Vuçiq, i cili ishte kryeministër atë kohë, duke folur në një ceremoni përkujtimore për të shënuar fushatën bombarduese të NATO-s ndaj Jugosllavisë, para ndërtesës së bombarduar të Shtabit të Përgjithshëm, prill 2015. Përgjatë ngjarjes, Vuçiq, aktualisht president i Serbisë, i ka thënë turmës: "Një shtet i suksesshëm dhe i mirëorganizuar është fitorja jonë. Çdo ndërtesë që ndërtojmë, çdo rrugë që ndërtojmë, çdo fabrikë që ndërtojmë është fitorja jonë.”
8/12 Aleksandar Vuçiq, i cili ishte kryeministër atë kohë, duke folur në një ceremoni përkujtimore për të shënuar fushatën bombarduese të NATO-s ndaj Jugosllavisë, para ndërtesës së bombarduar të Shtabit të Përgjithshëm, prill 2015. Përgjatë ngjarjes, Vuçiq, aktualisht president i Serbisë, i ka thënë turmës: "Një shtet i suksesshëm dhe i mirëorganizuar është fitorja jonë. Çdo ndërtesë që ndërtojmë, çdo rrugë që ndërtojmë, çdo fabrikë që ndërtojmë është fitorja jonë.”
Projekti për Kullën Trump në Beograd. Më 2024, Jared Kushner, dhëndri i Trumpit, i ka bërë të ditura planet që me kompaninë e tij, Affinity Partners, të krijojë një kompleks të madh në hapësirën ku ka qenë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë.
9/12 Projekti për Kullën Trump në Beograd. Më 2024, Jared Kushner, dhëndri i Trumpit, i ka bërë të ditura planet që me kompaninë e tij, Affinity Partners, të krijojë një kompleks të madh në hapësirën ku ka qenë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë.
Projekti do të përfshijë hotel luksoz dhe rezidenca, ashtu sikurse muze dhe qendër përkujtimore për të vrarët në bombardimet e NATO-s.
10/12 Projekti do të përfshijë hotel luksoz dhe rezidenca, ashtu sikurse muze dhe qendër përkujtimore për të vrarët në bombardimet e NATO-s.
Turmat më 11 nëntor duke krijuar një “mur të gjallë” rreth ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, si protestë kundër planeve për ndërtesën e re. Parlamenti i Serbisë e ka miratuar së fundmi një ligj që do të lejonte nisjen e punimeve, pavarësisht se ndërtesa është në listën e objekteve të mbrojtura.
11/12 Turmat më 11 nëntor duke krijuar një “mur të gjallë” rreth ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, si protestë kundër planeve për ndërtesën e re. Parlamenti i Serbisë e ka miratuar së fundmi një ligj që do të lejonte nisjen e punimeve, pavarësisht se ndërtesa është në listën e objekteve të mbrojtura.
Flamuj kundër NATO-s dhe Bashkimit Evropian në protestën e 11 nëntorit. Protestuesit kërkojnë që rrënojat të mos preken, derisa Vuçiq, i cili është president i Serbisë, ka thënë se projekti në vlerë të 500 milionë dollarëve do të kontribuojë që Beogradi të bëhet “qendër e kësaj pjese të botës”.
12/12 Flamuj kundër NATO-s dhe Bashkimit Evropian në protestën e 11 nëntorit. Protestuesit kërkojnë që rrënojat të mos preken, derisa Vuçiq, i cili është president i Serbisë, ka thënë se projekti në vlerë të 500 milionë dollarëve do të kontribuojë që Beogradi të bëhet “qendër e kësaj pjese të botës”.
Previous slide
Next slide

Dyshimet për falsifikim dokumentesh në qendër të hetimeve për Shtabin e Përgjithshëm

Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi po kryen hetime që nga maji për falsifikimin e dyshuar të dokumenteve, të cilat shërbyen si bazë që Qeveria e Serbisë t’i hiqte statusin e pronësisë kulturore ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.

Drejtori i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, Goran Vasiq, sipas prokurorisë, ka pranuar tashmë falsifikimin e dokumentacionit.

Bazuar në atë dokumentacion, Ministrisë së Kulturës, e cila udhëhiqet nga Sellakoviq nga radhët e Partisë Përparimtare Serbe, i është dorëzuar një iniciativë për miratimin e vendimit për heqjen e statusit të pronësisë kulturore ndaj ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm.

Pas lajmit se kundër tij është ngritur aktakuzë, Sellakoviq tha se “po e priste me padurim gjyqin, sepse ai do të shënojë fundin e bllokuesve”.

Termi “bllokues” përdoret nga përfaqësuesit e Qeverisë në Serbi për të përshkruar pjesëmarrësit në protestat antiqeveritare, të cilët kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehe në Novi Sad, në nëntor të vitit 2024.

Vuçiq tha më 11 dhjetor se, në rast se ngrihet aktakuzë për rastin e Shtabit të Përgjithshëm, ai do t’i falë të gjithë ata që “dyshohet se kanë marrë pjesë në mashtrime”.

“Nuk do t’ua jap mundësinë t'i ndjekin penalisht ata që nuk kanë faj. Unë jam fajtori. Unë jam ai që dëshiroja modernizimin e Serbisë. Unë jam ai që dëshiroja të sjell një investitor të madh”, tha Vuçiq.

Më 7 nëntor, Kuvendi i Serbisë miratoi një ligj të veçantë që i hoqi ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm statusin e pasurisë kulturore, duke i hapur rrugë ndërtimit të një kompleksi luksoz.

Për Edward P. Josephin, ligjërues dhe bashkëpunëtor i lartë në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, lajmi për tërheqjen e Kushnerit nuk është befasi.

“Përpjekjet e Qeverisë së Vuçiqit për të marrë pronën, ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes, për ta hequr nga regjistri i pronave të mbrojtura kulturore dhe monumenteve, shpërthyen në një skandal. Pra, asgjë nga kjo nuk më habit”, thotë Joseph për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se e ngriti këtë çështje edhe në Nënkomisionin për Evropën të Komitetit për Çështjet e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, më 2 dhjetor.

“Në deklaratën time hapëse dhe më pas në përgjigjet ndaj pyetjeve të anëtarëve të Kongresit, theksova se presidenti Vuçiq nuk do të ishte në gjendje t’i përmbushte angazhimet për hotelin. Theksova kundërshtimin e fuqishëm për ndërtimin e këtij hoteli nga i gjithë spektri politik”, thotë Joseph.

Kompleksi që planifikohej të ndërtohej nga kompania e Kushnerit në Beograd.
Kompleksi që planifikohej të ndërtohej nga kompania e Kushnerit në Beograd.

Kushner u angazhua në negociata për më shumë se dy vjet. Kontrata fillestare u nënshkrua në maj të vitit 2024. Nënshkrues nga ana e Serbisë ishte Goran Vesiq, ish-ministër i Ndërtimit, Trafikut dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Serbisë.

Në kontratë thuhej se Serbia është e detyruar të heqë statusin e trashëgimisë kulturore nga kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm “në një mënyrë që të jetë e kënaqshme” për kompaninë e Kushnerit, të përfundojë shembjen e ndërtesave, gjithashtu “në një mënyrë që të jetë e kënaqshme” për kompaninë e dhëndrit të Trumpit, dhe toka ku ndodhet kompleksi, të jepet me qira pa pagesë për 99 vjet, me opsionin e pronësisë falas.

Përgatiti: Valona Tela
Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG