Ndërlidhjet

Vritet në Spanjë këshilltari i ish-presidentit ukrainas Yanukovych


Oficerët e policisë spanjolle punojnë pranë trupit (pas perdes blu) të ish-deputetit të ndjerë të Ukrainës, Andriy Portnov, pasi ai u qëllua për vdekje në Madrid, më 21 maj.
Oficerët e policisë spanjolle punojnë pranë trupit (pas perdes blu) të ish-deputetit të ndjerë të Ukrainës, Andriy Portnov, pasi ai u qëllua për vdekje në Madrid, më 21 maj.

Andriy Portnov, këshilltar i ish-presidentit prorus të Ukrainës, Viktor Yanukovych, është vrarë me armë zjarri të mërkurën në periferi të kryeqytetit spanjoll, Madrid, pak pasi i kishte dërguar fëmijët e tij në shkollë.

Vrasja e Portnov, 51 vjeç, u konfirmua nga Ministria e Brendshme e Spanjës. Ai u qëllua në orën 09:15, pasi duket se i kishte lënë fëmijët në shkollë, thanë autoritetet.

Dëshmitarët raportuan se Portnov u qëllua “disa herë” në kokë dhe trup nga më shumë se një person derisa po hynte në makinën e tij, Mercedes Benz i zi, sipas policisë. Sulmuesit më pas u larguan në këmbë.

Shërbimet emergjente të Madridit thanë se ai u gjet i vdekur kur mbërritën mjekët, dhe se kishte të paktën tre plumba në trup.

Portnov kishte shërbyer si zëvendëskryetar i zyrës presidenciale të Ukrainës nga viti 2010 deri në vitin 2014 - u vra në të shtënat me armë.

Andriy Portnov
Andriy Portnov

Portnov ishte ndihmës i lartë i Yanukovych, i cili refuzoi ta nënshkruante marrëveshjen e asociimit të Ukrainës me Bashkimin Evropian – një vendim që shkaktoi protestat e përgjakshme të revolucionit në vitet 2013-2014 kundër anulimit të marrëveshjes me BE-në dhe korrupsionit të lartë në Qeveri.

Portnov, i cili është nën sanksione amerikane që nga viti 2021 për korrupsion të dyshuar, iku nga Ukraina në vitin 2014 dhe shkoi në Rusi.

Thuhet se më pas u zhvendos në Austri. Nuk dihet se kur u zhvendos në Spanjë.

Në vitin 2019, policia ukrainase nisi një hetim ndaj Portnovit duke e akuzuar për pengim të punës profesionale të gazetarëve të REL-it, pasi kishte publikuar të dhënat personale të disa anëtarëve të njësisë hulumtuese, Schemes, dhe televizionit UA:Pershy, të cilët po hetonin lidhjet dhe marrëdhëniet e tij me zyrtarë aktualë të Qeverisë ukrainase.

Një vit më herët, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës e kishte hetuar atë për tradhti, për përfshirje të dyshuar në aneksimin e paligjshëm të Gadishullit të Krimesë nga Rusia. Rasti penal u mbyll në vitin 2019.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG