Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, bëri të ditur të mërkurën se rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, u vra nga dy persona në shkallët e ndërtesës ku banon teksa po kthehej nga puna, dhe se autorët e dyshuar ndodhen në arrati.
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Çerkini tha se autoritetet janë duke punuar për të zbardhur motivet dhe arsyet e vrasjes.
“Nga të dhënat që kemi, dy personat kanë ikur në këmbë nga vendi i ngjarjes. Nuk kemi më shumë informata. Nuk kemi ndonjë tregues që rreshteri Lika ka pasur ndonjë problem, qoftë me procedural që i ka zhvilluar qoftë si zyrtar policor, apo ndonjë problem personal që do të na zbardhte motivin e vrasjes së tij”, tha Çerkini.
Ai theksoi se autoritetet ende nuk kanë arritur t’i identifikojnë dy të dyshuarit, për shkak të pamjeve jo shumë të qarta të kamerave të sigurisë dhe errësirës.
“Shpresojmë që gjatë mbledhjes së provave dhe shikimit të kamerave të përgjithshme të qytetit të Kaçanikut të identifikohen ata persona dhe sapo të ndodhë kjo do t’i marrim të gjitha hapat për t’i arrestuar. [Të dyshuarit] nuk kanë përdorur maska, por kapela, jo për mbulimin e fytyrës. Rasti ka ndodhur pas orës 23:00 dhe në errësirë, dhe kjo e bën të vështirë identifikimin e tyre”, tha ai.
Çerkini tregoi se, sipas hetimeve fillestare, në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja të llojit 9.9 mm, por jo edhe arma me të cilët të dyshuarit besohet se e kanë kryer vrasjen.
Nuk dihet lloji i armës së përdorur nga të dyshuarit, sipas tij.
“Arma e dorasëve nuk është gjetur në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes është gjetur arma e zyrtarit policor [viktimës]. Nga të dhënat deri tani, nuk rezulton që ka pasur shkrepje nga arma e zyrtarit policor”, tha ai.
Në vitin 2021, një lokal i Likës ishte djegur nga persona të panjohur, por kryeprokurori Çerkini tha se nuk ka prova që tregojnë se këto dy ngjarje lidhen.
Katër vjet më vonë, autoritetet ende nuk e kanë identifikuar ndonjë të dyshuar as për djegien e lokalit të policit tashmë të ndjerë, sipas tij.
“Deri tani nuk kemi mundur ta gjejmë - ndoshta për shkak të kohës së gjatë nga viti 2021 deri më 2025 - ndonjë motiv, ndonjë arsye apo shkak që ndërlidh djegien e lokalit më vrasjen”, tha ai.
Më herët, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Lika ishte gjetur i plagosur rëndë në hyrjen e ndërtesës ku banonte, të martën rreth orës 23:00.
Polici i ndjerë ishte transportuar për në Qendrën e Mjekësisë, në Kaçanik, por nuk kishte arritur t’u mbijetonte plagëve të pësuara.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka dënuar vrasjen e policit, duke thënë se "sulmi ndaj çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës është sulm i drejtpërdrejtë ndaj ndaj rendit, institucioneve dhe sigurisë së Republikës së Kosovës".
"Ftoj dorasin apo dorasit që sa më parë të dorëzohen në organet e rendit, meqë i gjithë aparati shtetëror pa hezitim dhe pa kursim është i mobilizuar të zbulojë dhe arrestojë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë vrasje", ka deklaruar ai.
Edhe Sindikata e Policisë së Kosovës ka dënuar më herët vrasjen e policit, duke thënë se "ky akt i rëndë është një atentat i drejtpërdrejtë ndaj sigurisë publike, ligjit dhe vetë shtetit të Kosovës".
"Çdo sulm ndaj një zyrtari policor është sulm ndaj Republikës së Kosovës! Policia e Kosovës është shtylla kryesore e rendit dhe sigurisë në vend. Prekja e saj është përpjekje për të minuar themelet e shtetit tonë dhe nuk do të tolerohet", thuhet në reagimin e SPK-së.
Ditëve të fundit, numri i vrasjeve në Kosovë ka shënuar rritje. Në fund të marsit u regjistruan katër vrasje.
Më 23 mars, një 19-vjeçar u vra në Vushtrri nga një bashkëmoshatar i tij. Po në Vushtrri, një ditë më vonë një burrë vrau një grua 42-vjeçare. Dorasi, 58 vjeç, më pas vrau veten.
Ndërkaq, mbrëmjen e 25 marsit, një burrë u vra në Prishtinë, ndërkaq një tjetër mbeti i plagosur, pasi, sipas Policisë, ata u sulmuan nga dy persona të maskuar dhe të armatosur.
Autoritetet e vendit kanë kërkuar veprime të menjëhershme për adresimin e rasteve të vrasjeve.