Borrell bisedon me Kurtin e Vuçiqin për zhvillimet në veri
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me zhvillimet e së dielës në veri të Kosovës.
Në komunikatën e postuar në ueb-faqen e BE-së thuhet se Borrell “e dënon agresionin e sotëm në termat më të fuqishëm”.
“Përfaqësuesi i lartë, Borrell, përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë, si dhe për lirimin e pelegrinëve në manastirin e Banjskës. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit”, thuhet në komunikatë.
Osmani shpall të hënën ditë zie
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shpalli 25 shtatorin ditë zie, në nderim të policit të vrarë në veri, Afrim Bunjaku.
Rreshteri policor mbeti i vrarë më 24 shtator, pas një sulmi të armatosur në fshatin Banjskë në Zveçan, të banuar me shumicë serbe.
Drejtoresha e spitalit: Polici i plagosur do të operohet
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës, i cili është plagosur gjatë aksionit në fshatin Banjskë të Zveçanit, është duke u trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës së Jugut.
Drejtoresha e këtij spitali, Luljeta Buçinca Zhubi, tha për Radion Evropa e Lirë se polici i plagosur është duke qëndruar në spital, pasi nesër do t’i nënshtrohet një operacioni.
“E kemi një pjesëtar të policisë, i cili është i plagosur nga copat e predhave. Në konsultim me kirurgun, është konstatuar se ai duhet t’i nënshtrohet një intervenimi”, tha Zhubi.
Ajo tha se që nga orët e para të mëngjesit, në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë të Jugut janë trajtuar gjashtë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
“Disa nga të plagosurit/lënduarit janë transferuar në Prishtinë e të tjerët janë liruar në shtëpi”, tha Zhubi.
Në kujtim të policit të vrarë...