Çfarë dihet deri më tani:
- Zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur, si pasojë e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, mëngjesin e së dielës.
- Policia më vonë gjatë ditës e ka konfirmuar vrasjen e tre sulmuesve dhe arrestimin e një tjetri, gjatë këmbimit të sulmeve me armë zjarri në atë pjesë.
- Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se Manastiri në Banjskë është kthyer në “burim të sulmeve”.
- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u ka bërë thirrje sulmuesve që të dorëzohen, pasi sipas tij, Policia i ka rrethuar.
- Autoritetet e Kosovës e kanë dënuar sulmin ndaj Policisë dhe e kanë fajësuar Serbinë për të.
- Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar ashpër vrasjen e zyrtarit policor. BE-ja ka bërë thirrje për vërtetim të fakteve dhe nxjerrje të autorëve para drejtësisë.
- Përfaqësuesi i Qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin niset sot drejt Kosovës.
- Pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinje dhe Bërnjak, janë mbyllur për qarkullim.
- Presidenti i Serbisë, Aleksadnar Vuçiq do t’i drejtohet kombit në pasditen e së dielës.
Von Cramon: Sulm i papranueshëm, të dorëzohen të armatosurit në manastir
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha se “sulmi i orkestruar” ndaj forcave legjitime të Policisë së Kosovës “është absolutisht i papranueshëm” dhe se autorët e tij duhet të dalin para drejtësisë.
“E dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës dhe shpreh solidaritetin tim të plotë me popullin e Kosovës”, shkroi von Cramon në platformën X.
“Pjesëmarrja e mundshme e strukturave serbe (nga Beogradi) duhet të hetohet, ndërkohë që është e domosdoshme të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur qetësinë dhe rendin”, tha ajo.
Von Cramon tha se u bën thirrje të gjithë aktorëve që “t’i bindin burrat e armatosur në manastirin e Banjskës që t’i ulin armët dhe të dorëzohen pa vonesa të mëtejshme”.
Pamje satelitore të vendndodhjes së manastirit të Banjskës
Sveçla: Operacioni vazhdon
Tre sulmues mbetën të vrarë në operacionin e sotëm në Banjskë, ndërsa u arrestuan gjashtë persona, bëri të ditur ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Sipas tij, dy nga të arrestuarit janë "të plagosur, me uniformë dhe të armatosur", ndërsa katër të tjerë kanë qenë në mbështetje të sulmit me radio-lidhje.
Duke folur për gazetarët nga pjesa veriore e vendit, Sveçla tha se aksioni në kërkim të sulmuesve të Policisë së Kosovës është duke vazhduar.
Policia e Kosovës, tha ai, ka zbuluar edhe një sasi të madhe armatimi, përfshirë eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime e pajisje për barrikada.
"Lirisht mund të themi se ishin pajisje për disa qindra sulmues tjerë. Do të thotë, përgatitjet ishin që një kohë, në mënyrë masive, që të sulmojnë policinë e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës dhe seriozisht ta cenojnë integritetin teritorial", tha Sveçla.
Ai shtoi se ka informacione se bëhet fjalë për një "grup terroristësh".
"Ne kemi vijë kufitare jashtëzakonisht të gjatë me Serbinë dhe hyrjet e këtyre terroristëve nuk janë të pamundshme, por veprimtaria e tyre tash po bëhet e pamundshme", tha ministri i Brendshëm.
"I gjithë territori i vendit është vendosur nën kontroll", shtoi ai.