Mbyllet rruga që çon në fshatin Banjskë të Zveçanit
Policia e Kosovës e ka bllokuar rrugën kryesore që të çon në fshatin Banjskë (majtas) prej rrugës magjistrale Prishtinë – Rashkë.
Sipas reporterëve të Radios Evropa e Lirë, trafiku në rrugën magjistrale është i hapur dhe nuk ka shumë njerëz.
Ata kanë thënë se prej këtij udhëkryqi – që njihet si i Ballabanit dhe i cili të çon në Banjskë – po dëgjohen të shtëna me armë zjarri.
Në fshatin tjetër të Zveçanit, Rudarë, janë parë njësitet speciale të Policisë së Kosovës.
Edhe Gjermania e dënon vrasjen e zyrtarit policor
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde e ka shpërndarë qëndrimin e SHBA-së për vrasjen e një zyrtari policor në veri dhe ka thënë se është plotësisht në linjë me të.
Qëndrimi i SHBA-së:
Shefja e UNMIK-ut e dënon ashpër vrasjen në veri
Udhëheqësja e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh e ka dënuar ashpër vrasjen e zyrtarit të Policisë së Kosovës në veri dhe rastin e ka vlerësuar ai “incident tragjik”.
Ajo ka bërë thirrje për nxjerrje të kryesve të aktit para drejtësisë.
Kryetari i Parlamentit serb e fajëson Kurtin për “çfarëdolloj dhune”
Kryetari i Parlamentit të Serbisë, Vlladimir Orlliq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përgjegjës për çfarëdolloj dhune, dhe se është ngutur për t’i fajësuar serbët për zhvillimet në Banjskë të Zveçanit, ka raportuar Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).
Në këtë lokacion, të dielën në mëngjes është vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe dy të tjerë janë plagosur.
Autoritetet në Kosovë e kanë fajësuar Serbinë për vrasjen, dhe sulmin e kanë konsideruar terrorist.
“Gjithçka që ai [Kurti] ka bërë në muajt e fundit, me terrorin brutal që e ka kryer kundër popullit serb, e ka bërë sepse ka dashur përshkallëzim të hapur, dhe sepse ka dashur të shkaktojë dhunë”, është cituar të ketë thënë ai.