Vitia: Gjendja policit të plagosur, jashtë rrezikut për jetë
Gjendja e policit të plagosur në veri të Kosovës është jashtë rrezikut për jetë, ka thënë ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, pas vizitës që ia ka bërë zyrtarit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Pas vrasjes së ka ndodhur në Banjskë, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, e ka ngritur gjendjen e gatishmërisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet e përgjithshme, veçanërisht atë të Mitrovicës dhe Vushtrrisë.
Kurti i bën thirrje Serbisë t’i ndalë sulmet në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka bërë një postim pak minuta më parë në X – platformë e njohur si Twitter, duke thënë se sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë duke vazhduar në veri.
“Kjo është arsyeja pse i kemi bërë thirrje Serbisë që të mos i sponsorojë sulmet terroriste në veri”.
Familjarët e identifikojnë policin e vrarë
Familjarët e policit të vrarë kanë thënë se Afrim Bunjaku është zyrtari policor që është vrarë të dielën në veri të Kosovës.
Bunjaku ka qenë rreshter në Policinë e Kosovës.
Ai ka qenë nga Samadrexha e Vushtrrisë.
Kryetari i Parlamentit serb e fajëson Kurtin për “çfarëdolloj dhune”
Kryetari i Parlamentit të Serbisë, Vlladimir Orlliq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përgjegjës për çfarëdolloj dhune, dhe se është ngutur për t’i fajësuar serbët për zhvillimet në Banjskë të Zveçanit, ka raportuar Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).
Në këtë lokacion, të dielën në mëngjes është vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe dy të tjerë janë plagosur.
Autoritetet në Kosovë e kanë fajësuar Serbinë për vrasjen, dhe sulmin e kanë konsideruar terrorist.
“Gjithçka që ai [Kurti] ka bërë në muajt e fundit, me terrorin brutal që e ka kryer kundër popullit serb, e ka bërë sepse ka dashur përshkallëzim të hapur, dhe sepse ka dashur të shkaktojë dhunë”, është cituar të ketë thënë ai.