Reagimet për vrasjen
Të gjithë zyrtarët në Kosovë e kanë dënuar ashpër vrasjen dhe e kanë fajësuar Serbinë për këtë rast.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani: “Vrasja në veri është planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti: “Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca: “I kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës”.
Kryetari i partisë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi: “Sot, në këtë moment të dhembjes, qëndrojmë të bashkuar në përkrahje të policëve tanë, të cilët, përkundër sfidave ditore e sulmeve të bandave kriminale të kontrolluara nga Beogradi, po mbrojnë sovranitetin shtetëror në pjesën veriore të shtetit tonë”.
Kryetari partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku: “Sulmet e bandave kriminale e terroriste me adresë nga Beogradi s’mund ta zmbrapsin Kosovën nga e drejta për vendosje të rendit, ligjshmërisë e vet sovranitetit. Institucionet e rendit e drejtësisë të sjellin autorët e këtij krimi sa më parë para drejtësisë”.
Kryetari i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj: “Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë”.
Fshati Banjskë ku besohet se ka ndodhur vrasja
Përshëndetje të nderuar lexues,
Zhvillimet në veri të Kosovës, pas vrasjes së një zyrtari të Policisë së Kosovës atje, do t’i mbulojmë direkt përmes këtij blogu.
Qëndroni me ne!