Ndërlidhjet

Von der Leyen i mbijeton votëbesimit në Parlamentin Evropian


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Parlamentin Evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Parlamentin Evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka mbijetuar me lehtësi dy mocioneve të votëbesimit në Parlamentin Evropian të enjten, pasi deputetët kundërshtuan përpjekjet e grupeve të ekstremit të djathtë dhe të majtë për ta shkarkuar atë.

Ajo e fitoi votëbesimin e ligjvënësve të BE-së në Parlamentin me 720 ulëse. Von der Leyen e mori mbështetjen e 378 ligjvënësve në votimin e parë, si dhe të 383 të tjerëve në të dytin.

Von der Leyen tha në një postim në X se e vlerëson thellësisht mbështetjen dhe se ekipi i saj i komisionarëve do të punojë ngushtë me Parlamentin për t’u përballur me sfidat e Evropës.

Këto rezultatet ishin pak më të mira për shefen e ekzekutivit të BE-së sesa ato në korrik, kur 360 ligjvënës votuan kundër një mocioni të ngritur kryesisht nga deputetë të ekstremit të djathtë, pak më pak se 401 votat që mori ajo i mori për t’u rizgjedhur për një mandat të dytë në korrik 2024.

Edhe pse mocionet e votëbesimit kishin shumë pak gjasa të arrinin shumicën prej dy të tretash të nevojshme për ta rrëzuar von der Leyenin, disa ligjvënës thanë se ato mund të nxjerrin në pah pakënaqësinë e përgjithshme ndaj udhëheqjes të saj dhe ta destabilizojnë Parlamentin e BE-së, mbështetja e të cilit është e nevojshme për miratimin e ligjeve.

Partitë jashtë rrymave kryesore kanë kuptuar se mocionet e votëbesimit – që dikur përdoreshin rrallë – janë të lehta për t’u ngritur pas zgjedhjeve të vitit 2024, të cilat e rritën numrin e deputetëve të ekstremit të djathtë në mbi 100, ndërsa nevojiten vetëm 72 për të mbështetur një mocion të tillë.

Të dy mocionet kritikuan von der Leyenin për pranimin e një marrëveshjeje të pabalancuar tarifash me Shtetet e Bashkuara dhe për propozimin e një marrëveshjeje tregtare me bllokun e Amerikës së Jugut, Mercosur, që kritikët thonë se kërcënon bujqit dhe mjedisin.

Marrëveshjet me SHBA-në dhe Mercosurin do t’i nënshtrohen votimeve në Parlamentin Evropian në muajt e ardhshëm.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG