Ndërlidhjet

VMRO-DPMNE, përmes protestave synon konsolidimin partiak


Pamje nga protesta e djeshme në Maqedoni
Pamje nga protesta e djeshme në Maqedoni

Njohësit e çështjeve politike, organizimin e protestave të VMRO DPMNE-së në shumë qytetet të Maqedonisë, e shohin si test për vetë anëtarësinë e kësaj partie pas zhvillimeve të fundit në këtë parti, përkatësisht arrestimin e funksionarëve të lartë të VMRO DPMNE-së, të cilët ngarkohen për korrupsion, si dhe arratisjes në Hungari të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristian Mickoski, protestat i ka cilësuar si “revolucion kundër dëshpërimit kombëtar”, përmes së cilave synohet t'u jepet fund problemeve dhe përndjekjeve politike që, sipas tij, po i bën Qeveria e Zoran Zaevit.

“Tanimë një vit e gjysmë sa është në pushtet, Zaev po e shkatërron Maqedoninë, pas gjithë këtyre poshtërimeve dhe pazareve me interesat kombëtare. Ne do të qëndrojmë këtu për të protestuar me të gjithë qytetarët pa dallim kombi dhe besimi.

"Do t'ua tregojmë vendin tuaj në histori. Në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare do t’ju mposhtim. Nuk do të largohemi nga këtu derisa ta shohim ikjen tuaj. Do të ngrohin rrezet e lirisë”, ka theksuar para protestuesve Mickoski.

Ndërkohë, duke komentuar daljen në rrugë të VMRO DPMNE-së për të protestuar, Isak Sherifi, njohës i çështjeve politike për Radion Evropa e Lirë thotë se “rrethanat politike, të cilat u krijuan pas arratisjes së ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, në Hungari”, VMRO DPMNE-ja ishte e detyruar që t'i intensifikojë aktivitetet partiake. Kjo, sipas tij, fillimisht që të shpërqendrojë vëmendjen e opinionit po edhe vetë anëtarësisë nga ajo se partia po dobësohet duke vënë fokusin te problemet ekonomike që kanë qytetarët, e deri tek ajo se VMRO DPMNE-ja si parti, atakohet pasi ajo mbron interesat e shtetit.

VMRO mban protestë kundër Qeverisë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

“Unë konsideroj se këto protesta janë vetëm për të korrigjuar përkatësisht verifikuar situatën brenda partisë pas arrestimeve të njëpasnjëshme të Kryesisë së kësaj partie. Njëkohësisht, synohet të sensibilizohet opinioni brendshëm dhe ai i jashtëm gjoja se ndaj anëtarëve të kësaj partie, po bëhet përndjekje politike dhe jo se bëhet fjalë për përndjekjeje kundër korrupsionit dhe shantazheve që ndodhën në Maqedoni, gjatë qeverisjes së Nikolla Gruevskin në krye të VMRO DPMNE-së".

"Pasi 8 deputetë që mbështetën ndryshimet kushtetuese u larguan nga VMRO DPMNE -ja, do të synohet të matet dhe forca e udhëheqësisë së re të partisë për t'i sfiduar politikat e kryeministrit Zoran Zaev”, thotë Sherifi, ligjërues në Universitetin e Tetovës.

Nga ana tjetër, politologu maqedonas, Petar Arsovski, për Radion Evropa e Lirë e sheh si shumë pozitiv aktivizimin e partisë pas zhvillimeve të fundit që kanë të bëjnë me drejtuesit më të lartë të saj.

“Është me shumë rëndësi që partia të aktivizohet dhe të gjejë një narrativ për t'u promovuar si forcë relevante politike, por mendoj se në këtë moment që Maqedonia po ec me hapa të sigurt drejt integrimeve në strukturat euroatlantike çfarëdo që kritikohet në këtë drejtim, qofshin ndryshimet kushtetuese apo diçka që ndërlidhet me këtë proces, është në dëm të partisë sepse shumica e qytetarëve dëshirojnë që vendin sa më parë ta shohin si pjesë e NATO-s dhe BE-së”, thotë Arsovski.

Ndryshe, drejtuesit e VMRO DPMNE-së kanë theksuar se protestat do të organizohen për çdo të mërkurë në Shkup si dhe gjatë vikendeve të njëjtat do të organizohen në shumë qytete të Maqedonisë, siç kanë theksuar, deri në momentin që do të rrëzohet Qeveria.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG