Ndërlidhjet

Putin: Konflikti Izrael-Gaza shfaq dështimin e SHBA-së në Lindjen e Mesme


Presidenti rus, Vladimir Putin. Fotografi nga arkivi.
Presidenti rus, Vladimir Putin. Fotografi nga arkivi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se konflikti mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit në Gaza, shfaq “dështimin” e politikës së Uashingtonit në Lindjen e Mesme dhe bëri thirrje për krijimin e “një shteti sovran palestinez” që tha se është gjë “e domosdoshme”.

Lideri rus i bëri këto komente gjatë takimit me kryeministrin irakian, Mohammed Shia al-Sudani, në Moskë, disa ditë pasi Hamasi nisi një sulm masiv në Izrael.

“Mendoj se shumë njerëz do të pajtoheshin me mua se ky është një shembull i qartë i dështimit të politikës amerikane në Lindjen e Mesme”, tha Putin.

Ai foli për “nevojën e zbatimit të vendimeve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për krijimin e një shteti të pavarur dhe sovran palestinez”.

Putin tha se SHBA-ja “ka tentuar të monopolizojë zgjidhjen e konfliktit, por fatkeqësisht ata nuk ishin të preokupuar në gjetjen e kompromiseve që do të ishin të pranueshme për të dyja palët”.

Perëndimi “nuk ka marrë parasysh interesat thelbësore të popullit palestinez”, tha ai.

Një ditë më herët, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se krijimi i një shteti palestinez është “zgjidhja më e qëndrueshme” për paqe me Izraelin.

Grupi militant i Hamasit nisi një sulm masiv ndaj Izraelit mëngjesin e 7 tetorit. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme në Gaza.

Të paktën 900 persona në Izrael dhe mbi 700 në Gaza janë vrarë që kur shpërtheu dhuna.

Hamasi – që njihet si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe fuqitë e tjera botërore – udhëheq me Gazën që nga viti 2007.

Izraeli ka urdhëruar rrethimin e plotë të Gazës dhe autoritetet kanë thënë se kjo masë nënkupton ndërprerjen e ujit, ushqimit dhe energjisë për këtë territor.

Izraeli dhe Gaza deri më tani kanë zhvilluar katër luftëra, teksa palestinezët vazhdimisht kërkojnë të krijojnë një shtet të tyre me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

Bregu Perëndimor dhe Gaza, të cilat njihen si territore palestineze, si dhe Jerusalemi Lindor dhe Izraeli kanë qenë pjesë e tokës së njohur si Palestinë që nga koha romake.

Këto ishin gjithashtu tokat e mbretërive hebraike në Bibël dhe shihen nga hebrenjtë si atdhe i tyre i lashtë.

Izraeli u shpall shtet në vitin 1948, megjithëse toka ende quhet Palestinë nga ata që nuk e njohin të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.

Palestinezët përdorin gjithashtu emrin Palestinë si një term ombrellë për Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jerusalemin Lindor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG