Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se brenda dy-tri ditësh do të qartësohet çështja e shtyrjes apo jo të zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Gjatë një prononcimi për media, Osmani tha më 8 dhjetor se institucionet fillimisht duhet të marrin vlerësimet e institucioneve të sigurisë për situatën në veri dhe më pas të mbahen konsultime me partitë për shtyrjen apo jo të zgjedhjeve.
“Si rregull, ekzistojnë kritere që janë caktuar nga Komisioni i Venecias për çështje të shtyrjes së zgjedhjeve. Në rastet kur ligji shprehimisht nuk e parasheh të drejtën e shtyrjes së zgjedhjeve, siç është rasti i Kosovës, atëherë në këtë rast duhet të bëhet vlerësimi nga institucionet e sigurisë. Ky vlerësim duhet të trajtohet në KQZ, dhe në KQZ duhet të ketë një pajtim për të propozuar një gjë të tillë, nëse ata e vlerësojnë. Më pas ai propozim vjen në Presidencë, mirëpo Komisioni i Venecias i kërkon Presidencës patjetër të konsultojë partitë politike”, tha Osmani.
Sipas të parës së vendit, për shtyrjen apo jo të zgjedhjeve duhet të ketë “konsensus” politik, pasi siç theksoi, vendime të tilla “nuk merren kokë më vete”.
“Nëse një kërkesë e tillë vjen, pasi t’i dërgohet KQZ-së vlerësimi i sigurisë, si presidente unë do ta bëj vlerësimin tim dhe atë do ta ndaj me partitë politike, por patjetër duhet të ketë konsensus. Kjo është procedura dhe besoj që në dy-tri ditët në vijim gjithçka do të qartësohet”, tha Osmani.
Osmani bëri të ditur se sot do të ketë takim me disa prej institucioneve të sigurisë dhe shtoi se njoftohet për situatën në baza ditore.
Çështja se a duhet të shtyhen zgjedhjet në katër komunat në veri, që janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor, vjen pas disa incidenteve të shënuara më 6 dhe 7 dhjetor.
Më 6 dhjetor, autoritetet njoftuan se teksa policia ishte duke përcjellë zyrtarët komunalë zgjedhorë për në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, këto zyra u sulmuan “me mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”. Një ditë më pas u raportua për dy shpërthime në Mitrovicë të Veriut.
Kosova i ka cilësuar këto incidente si “sulme terroriste” dhe për to ka fajësuar “bandat kriminale” që thotë se “financohen dhe dirigjohen” nga Serbia.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke bërë përgatitjet për zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Këto katër komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbë, që nga fillimi i nëntorit janë pa kryetarë, pasi ata dhanë dorëheqje për të kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.
KQZ-ja ka kërkuar që të ofrohet siguri për zyrtarët zgjedhorë. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar se aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve.