E para e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani, u përball me kritika nga organizatat që mbrojnë të drejtat e gazetarëve dhe nga pjesëtarë të shoqërisë civile, për shkak të deklaratave të saj që duket se krijojnë një lidhje mes “disa gazetarëve” me një “grusht shteti” dhe “Radoiçiqëve”.
Osmani ka folur për “disa të ashtuquajtur gazetarë”, që ajo tha se publiku do “të shokohej” nëse do të dinte se “me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë”.
Këtë deklaratë ajo e ka bërë në Facebook më 10 shtator, në një reagim për atë që presidentja e cilësoi si “përndjekje të vazhdueshme, të kundërligjshme, e të rrezikshme që media të caktuara u bëjnë vajzave të mia të mitura”.
Në 3 minuta
Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.
Çfarë tha Osmani gjatë bisedës me gazetarë?
Një ditë më vonë, në një bashkëbisedim në Presidencë me një grup gazetarësh, Osmani u pyet që të sqaronte nëse gazetarët janë hetuar nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë për veprimtari të kundërligjshme dhe pse nuk po tregon se për kë bëhet fjalë.
“E para, nuk janë hetuar gazetarët, është hetuar dikush tjetër, janë hetuar Radoiçiqët”, tha Osmani, duke iu referuar Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.
Për këtë rast, që Kosova e cilëson sulm terrorist, autoritetet e fajësojnë Serbinë, por Beogradi mohon çdo përgjegjësi.
Ndaj vetë Radoiçiqit, dhe personave të tjerë që dyshohet se morën pjesë në sulmin në Banjskë, Kosova ka ngritur aktakuzë.
Megjithatë, Radoiçiq besohet se gjendet i lirë në Serbi, teksa Kosova vazhdimisht kërkon që ai të ekstradohet, në mënyrë që të përballet me drejtësi.
“Nuk ka pasur nevojë të hetohen disa gazetarë. Ose, më qartësisht nuk dua të përmend termin gazetar sepse nuk dua të ju fus ju në thes me njerëz të tillë. Kur hetohen Radoiçiqët, dalin bashkëpunëtorët e tyre dhe natyrisht që institucionet tona të sigurisë e kanë detyrë shtetërore, detyrë morale, detyrë ligjore që të hetojnë deri në fund çdo bashkëpunim që ka rrezikuar Republikën e Kosovës, përfshirë planet për grusht shteti, përfshirë rrezikime të ndryshme që janë bërë e i bëhen Kosovës. Për këtë arsye ekzistojnë institucionet e sigurisë”, tha Osmani.
Por, sipas saj, kjo nuk nënkupton që janë hetuar gazetarët, por janë hetuar njerëz të tjerë “dhe pastaj kanë dalë shumë prova”.
“Pse nuk e kam thënë më herët”, bëri pyetje retorike Osmani. Sepse, shtoi ajo, hetimet janë duke vazhduar nga institucionet e sigurisë dhe “është vlerësim i tyre që ne nuk duhet të dalim publikisht me emra dhe mbiemra, sepse kjo do t’i pengonte hetimet, dhe unë nuk dua t’i pengoj hetimet”.
“E dinë ata kush janë, e kanë mizën pas veshit, prandaj edhe më sulmojnë mua për shkak të qëndrimeve kundër Listës Serbe sepse nuk kanë se si të jenë të suksesshëm në sulmet ndaj meje, tentojnë t’i sulmojnë vajzat e mia të mitura. Kjo është komplet politike. Por, nuk janë hetuar gazetarët. Dhe as unë si presidente, kurrë nuk kam kërkuar të hetohet ndonjë gazetar nga institucionet e sigurisë, të cilat, të ju them sinqerisht kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në parandalimin e shumë sulmeve të Serbisë në raport me Kosovën”, shtoi Osmani.
Për të parandaluar çdo sulm të Serbisë, sipas Osmanit, duhet të hetohen armiqtë e Kosovës, ata që kanë kryer “akte terroriste, që kanë kryer akte agresioni, ata që planifikojnë përsëri ta sulmojnë Kosovën”.
“E tash, përgjatë rrugës së hetimeve, del që për fatin e keq të këtij vendi ka gjithçka aty që kanë bashkëpunuar me ta. Por, unë nuk ua determinoj institucioneve të sigurisë pistat e tyre të hetimeve. Është vlerësim i tyre që të mos të dalin me emra dhe mbiemra, dhe jo vetëm për këtë rast, por edhe për shumë raste të tjera, pa përfunduar hetimet”, tha Osmani.
E kur u pyet nëse do të ishte më korrekte që të fliste me emra konkretë se për cilët gazetarë bëhet fjalë, Osmani e pranoi këtë, dhe tha se në momentin që institucionet e sigurisë ia japin dritën jeshile, ajo do të flasë edhe me emra konkretë.
Por, e para e shtetit tha se edhe me përmendjen që ajo u bën në këtë rast, nuk pengohen hetimet.
“Nuk pengohen hetimet nëse them do të shokoheshit, çdo qytetar i Republikës do të shokohej kur ta shihte një gjë të tillë. Por, për këto gjëra unë do të pres deri në momentin kur institucionet e sigurisë vlerësojnë se nuk pengohen hetimet”, tha Osmani.
Reagimet për deklaratat e Osmanit
Deklaratat e Osmanit u dënuan nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), që tha se këto “akuza dhe insinuata” të presidentes rrezikojnë sigurinë fizike të gazetarëve.
“AGK-ja e dënon ashpër retorikën akuzuese dhe nxitëse të presidentes Osmani gjatë konferencës për shtyp, pasi që ajo rrezikon direkt sigurinë fizike të gazetarëve. Osmani u është referuar sërish raporteve të AKI-së për të forcuar akuzat “për disa gazetarë”, për të cilat AGK mendon se vënë në pikëpyetje sigurinë juridike, jo vetëm të gazetarëve, por edhe të secilit qytetar të Kosovës”, u tha në reagim.
AGK-ja u bëri thirrje organeve të sigurisë që të deklarohen për këto akuza, që i cilësoi të rënda, dhe që tha se shërbejnë si “kërcënim i hapur ndaj gazetarëve, në përpjekje për të ndaluar punën e tyre për të bërë pyetje në interes të publikut”.
Lulzim Peci nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), reagoi po ashtu në Facebook lidhur me “grusht shtetin” e përmendur nga Osmani.
Sipas tij, grusht shtetin në një shtet mund ta bëjë vetëm ushtria apo segmente të saj.
“Përmendja e grusht shtetit është goditje ndaj vet ushtrisë së Kosovës dhe personelit të sa të shkëlqyer”, tha ai.
Sipas Pecit, “grusht shtete kushtetuese mund të bëjnë partitë dhe udhëheqës të institucioneve”.
Edhe Ilir Deda, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, tha se grusht shteti bëhet vetëm nga ushtria, duke ngritur pyetjen nëse Forca e Sigurisë së Kosovës ka qenë pjesë e “një plani për grusht shteti”.
“Nëse ka qenë, atëherë a janë arrestur pjesëtarët e FSK-së për pjesëmarrje në plan të grusht shtetit?”, pyeti Deda.
“Kur kyçet direkt edhe presidentja në përhapje të lajmeve të rreme për ‘armiq të brendshëm’ dhe i shndërron në shënjestër ‘gazetarët me mizë pas veshi’ - Kosova fillon të duket si Rusia e Bjellorusia”, shtoi Deda, duke përmendur dy shtete ku mediat e pavarura janë të shtypura.
Ndryshe, Kosova ka shënuar regresin më të madh në 15 vjet sa i përket lirisë së shtypit këtë vit, sipas organizatës joqeveritare Reporterët pa kufij. Në Indeksin e saj Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2025, Kosova renditet e 99-ta nga 180 vende.
Reporterët pa Kufij thanë se gazetarët shpesh janë cak i fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale. Ata, sipas raportit, "akuzohen padrejtësisht për 'bashkëpunim me armikun', retorikë e përdorur nga grupet politike dhe fetare".
Ndërkaq, në raportin e Departamentit amerikan i Shtetit mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, sa i përket Kosovës thuhet se autoritetet nuk kanë ndërmarrë hapa të qëndrueshëm për t’i identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut. Në raportin e DASH-it u tha se në vendet e Ballkanit Perëndimor janë të kufizuara liria e shprehjes dhe liria së medias.