Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në Samitin e Bashkësisë Politike Evropiane, që mbahet në Mbretërinë e Bashkuar më 18 korrik.
Përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter, Osmani tha se në samitin e katërt të Bashkësisë Politike Evropiane do të takohet me udhëheqësit nga kontinenti për të diskutuar për “zgjidhjet për çështjet kryesore që ndikojnë në sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve tanë”.
“Ne po ashtu do të riafirmojmë angazhimin tonë për të forcuar aleancat e Kosovës dhe për ta afruar edhe më shumë shtetin tonë me institucionet euroatlantike”, shkroi ajo në X.
Bashkësia Politike Evropiane është shndërruar në forumin më të madh evropian, ku marrin pjesë më shumë se 50 liderë nga shtetet evropiane dhe nga organizatat evropiane.
Për Bashkimin Evropian, forcimi i Bashkësisë Politike Evropiane konsiderohet me rëndësi të veçantë. BE-ja dëshiron që ky forum të forcohet dhe ekzistenca e tij të mos vihet në dyshim. Blloku po ashtu e sheh këtë Bashkësi si mundësi për t’i përfshirë në debat për çështje të interesit të përbashkët edhe shtetet evropiane që ndajnë vlerat e përbashkëta, por që nuk janë shtete anëtare të BE-së.
Në Bashkësinë Politike Evropiane janë 44 vende. Kjo nismë është lancuar rreth dy vjet më parë.
Takimi i parë u zhvillua në Pragë në vitin 2022, kur Çekia kishte kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian; i dyti në Kishinjev të Moldavisë në qershor të vitit 2023, ndërsa i treti në Granadë të Spanjës në tetor të vitit 2023.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesëmarrëse të rregullta në Bashkësinë Evropiane Politike, përfshirë Kosovën, pavarësisht se ky forum në të kaluarën u mbajt në dy shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Moldavi dhe Spanjë.
Idenë për krijimin e saj e ka përmendur i pari presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e pas tij edhe presidenti aktual i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Bashkësia Politike Evropiane nuk është një organizatë formale, por shërben si forum, ku së paku një herë në vit liderët e 44 vendeve evropiane mblidhen dhe diskutojnë për çështje të interesit të përbashkët.
Kur ideja është përmendur për herë të parë, ka pasur edhe disa dyshime nëse kjo bashkësi do të shfrytëzohej si alternativë për zgjerimin e BE-së. Por, në BE kanë siguruar se Bashkësia Politike Evropiane, në asnjë mënyrë, nuk ka për qëllim ta zëvendësojë procesin e zgjerimit të BE-së, e as të bëjë gara me organizatat ekzistuese, strukturat apo proceset.