Ndërlidhjet

Vitet e humbura me demarkacionin


Kuçishta, fshat në kufirin Kosovë - Mali i Zi (Foto nga arkivi)
Kuçishta, fshat në kufirin Kosovë - Mali i Zi (Foto nga arkivi)

Çështja e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi i ka marrë Kosovës rreth 6 vjet kohë dhe mospërmbyllja e këtij problemi, ka krijuar përplasje jo vetëm brenda skenës politike dhe institucionale në vend, por edhe probleme në raport me faktorët ndërkombëtarë, si dhe ngecje në proceset e integrimeve evropiane, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve në Kosovë.

Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, i drejtuar nga Murat Meha, kishte punuar rreth 3 vjet në çështjen e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, gjë që u pasua me marrëveshjen e nënshkruar në gusht të vitit 2015 ndërmjet dy vendeve.

Por, që atëherë e deri më sot, kjo marrëveshje ka mbetur pa u ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, për shkak të kundërshtimeve të partive opozitare, por edhe disa deputetëve të partive në pushtet, në legjislaturën e kaluar, të cilët pretendojnë se me këtë marrëveshje Kosova humb territor.

Pas ardhjes në krye të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, i cili në legjislaturën e kaluar kishte kundërshtuar ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, ka shkarkuar përbërjen e Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, duke emëruar përbërje të re me në krye Shpëtim Bulliqin. Komisioni i ri ka nisur rishikimin e gjithë procesit, për të gjetur gabimet e pretenduara në demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Politologu Ramush Tahiri thotë për Radion Evropa e Lirë se e gjithë kjo vonesë për përmbylljen e këtij procesi ende nuk është arsyetuar me ndonjë fakt të ri që konfirmon se Kosova po humb territor.

“Fatkeqësisht, Qeveria jonë nuk është e vetëdijshme për dëmet që po shkaktohen dhe po insiston në çështjen se Kosova humb territor dhe se këta nuk janë në gjendje ta nënshkruajnë një marrëveshje që humb territor. Mirëpo, nuk po e prezantojnë asnjë fakt që Kosova humbë territor. Këta nuk po thonë, madje, as që kufijtë administrativ do të bëhen kufij shtetërorë. Në qoftë se e thonë këtë, atëherë e kanë një pikënisje dhe mund ta kritikojnë ‘komisionin Meha’ që ka bërë një kufi të ri. Por, këta as kufijtë administrativë të ish-Krahinës Socialiste Autonome (të Kosovës), nuk po i pranojnë që t’i bëjnë kufij shtetërorë”, thotë Tahiri.

Pasojat nga vonesa e përmbylljes së demarkacionit

Por, cilat janë dëmet për Kosovën që i ka krijuar vonesa e përmbylljes së kësaj çështjeje?

Profesori i së Drejtës Evropiane, Avni Mazreku, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se mosratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi ka bllokuar procesin e liberalizimit të vizave. Megjithatë, sipas tij, ratifikimi i kësaj marrëveshjeje nuk nënkupton që me automatizëm do të përfitohet liberalizimi i vizave.

Gjithashtu, sipas tij, kjo çështje ka polarizuar jo vetëm skenën politike, por edhe atë institucionale.

“Para kësaj qeverie, ne kemi pasur polarizim të faktorëve politikë parlamentar, do të thotë, të partive politike që janë përfaqësuar në Kuvend. Ndërsa, tash së fundi, shihet se ka një konflikt edhe midis faktorëve institucionalë, sa i përket liberalizimit të vizave”.

“Normalisht që të dy taborët politikë apo të themi tri, në këtë rast, provojnë të fitojnë politikisht nga ky proces. Unë mendoj se ky proces nuk do ta gjejë zgjidhjen e vet, përderisa të mungojë një kompromis nacional i kontekstit parlamentar”, thotë Mazreku.

Politologu Tahiri shpreh mendimin se vonesa në ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e Zi, prodhon pasoja edhe në marrëdhëniet me shtetet fqinje dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Në marrëdhëniet me shtetet fqinje, pasojat janë në subjektivitetin e Kosovës, sepse është i mangët pa përcaktimin edhe të një vije kufitare. Pasoja janë - sepse këtë e kemi kusht nga Brukseli - për integrime evropiane, për vazhdimin e integrimit për Marrëveshjen e Stabilizim -Asociimit (MSA), por edhe për liberalizimin e vizave. Qytetarët (e Kosovës) kanë mbetur të vetmit të izoluar edhe për këtë shkak konkret”, sqaron Tahiri.

A ka presione për demarkacionin?

Institucioneve të Kosovës u kanë mbetur më pak se dy muaj që të ratifikojnë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nëse synojnë të ecin përpara me procesin e liberalizimit të vizave. Ky mesazh, përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, u është transmetuar javëve të fundit, si nga ana e zyrtarëve të Bashkimit Evropian, ashtu edhe nga zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili qëndroi disa ditë më parë në Prishtinë.

Por, Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se lidhur me çështjen e demarkacionit, kryeministri nuk ka ndonjë presion nga partnerët ndërkombëtarë.

“Është fakt se kryeministri ende nuk ka ndonjë presion të rritur, siç quhet me gjuhën e gazetarisë, nga askush nga ndërkombëtarët. Të gjitha raportet me ndërkombëtarët janë të shkëlqyeshme”, thotë Matoshi.

Megjithatë, Matoshi shton se pasi që Komisioni shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror të dalë me raportin final, menjëherë pas kësaj do të ndërmerren hapat e duhur që të ecet më shpejt drejt finalizimit të kësaj çështjeje.

Por, politologu Tahiri shpreh mendimin se çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi nuk pritet të zgjidhet së shpejti.

“Jo, nuk pritet shpejt për t’u zgjidhur, sepse kauzë e kësaj qeverie ka qenë edhe ky fakt, me të cilin ka ardhur në pushtet dhe tash nuk mund ta kundërshtojë vetveten”.

“Nuk ka gjetur zgjidhje as komisioni, sepse në ditën që është caktuar, është dashur që t’i ketë faktet, për shkak se janë pikërisht ata njerëz që e kanë kundërshtuar tash e dy vjet dhe nuk e kanë mundësuar që të shkojë në Kuvendin e Kosovës. Ndërkaq, ky komision e pati shansin, për dallim prej komisionit të mëhershëm , që të dalë në Kuvendin e Kosovës, në Komisionin për integrime evropiane, që t’i shpjegojë çështjet”, shton Tahiri.

Kryeministri Haradinaj, kohë më parë ka theksuar se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, me gjasë do të mund të përfundojë në Arbitrazh, pasi që, siç është shprehur ai, Kuvendi nuk i ka votat për ratifikimin e marrëveshjes aktuale, të nënshtruar në gusht të vitit 2015. Por, njohësit e çështjeve juridike ndërkombëtare kanë theksuar se kjo çështje nuk mund të shkojë në arbitrazh, pa pëlqimin e Malit të Zi, i cili tashmë e ka ratifikuar marrëveshjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG