Ndërlidhjet

AI: Mijëra gra viktima të dhunës seksuale në Bosnjë - pa mbështetje


Ilustrim
Ilustrim

Më se 20 mijë femrave, që ishin viktima të dhunës seksuale në Bosnjë-Hercegovinë, ende u mohohet drejtësia, thuhet në raportin e organizatës, Amnesty International (AI), të publikuar të martën.

Njëzetepesë vjet pas luftës në këtë republikë të ish-Jugosllavisë, kritikohet gjendja ku “pasojat shkatërruese fizike dhe psikike të këtyre krimeve dhe barrierat e paarsyeshme, i parandalojnë femrat nga mbështetja e cila atyre u duhet dhe nga kompensimi juridik, që atyre u takon”.

“Më se dy dekada pas luftës, dhjetëra mijëra femra në Bosnjë ende përpiqen ta kthejnë jetën e tyre të shkatërruar, por kanë pak qasje në ndihmën mjekësore, psikologjike dhe financiare, që u duhet shumë”, tha në përmbledhjen e raportit, zëvendësdrejtori për Evropën i organizatës Amnesty International, Gauri van Gulik.

Shpallja e njëanshme e deklaratës së pavarësisë së Bosnjës në vitin 1992, ka ndikuar në shpërthimin e konfliktit në periudhën 1992-95, nga i cili janë vrarë afro 100 mijë vetë dhe zhvendosur më se 2 milionë njerëz.

Në raport, për të cilin Amnesty International thotë se është bazuar në kërkimet që janë bërë gjatë periudhës dyvjeçare, janë zbuluar pengesat sistematike dhe mungesa e konsensusit politik, të cilat kanë krijuar varfëri dhe mundim për gjeneratën e atyre që e mbijetuan dhunimin gjatë konfliktit.

Si pjesë e fushatës së frikësimit dhe pastrimit etnik gjatë luftës, mijëra gra dhe vajza ishin dhunuar dhe ndaj tyre ishin ushtruar forma të tjera të dhunës seksuale nga ushtria dhe grupet paramilitare.

Shumë prej tyre ishin skllavëruar, torturuar dhe me dhunë kishin mbetur shtatzëna, në të ashtuquajturat “kampe të dhunimit”, theksohet në raport.

“Më nuk i besoj askujt, e veçanërisht jo atyre në shtet. Të gjithë ata kanë dështuar ndaj meje. Jetoj vetëm për djalin tim. Ai është drita e ditës sime. Sa më përket mua, kjo nuk është jetë. Kjo është më tepër sikur të jeni në një makinë që e ndihmon jetën tuaj”, ka thënë e mbijetuara Sanja, nga qyteti Tuzlla.

Me gjithë mizoritë, rastet e më pak se 1% të numrit të përgjithshëm të viktimave të krimeve të luftës të dhunës seksuale, kanë arritur në gjykata, prej se proceset e krimeve të luftës kanë filluar të mbahen në Bosnjë-Hercegovinë, në vitin 2004, thotë raporti.

Gjykatat në këtë vend të Ballkanit perëndimor, i kanë kompletuar vetëm 123 raste të akuzave për dhunë seksuale, ndonëse numri i ndjekjeve penale është rritur në vitet e fundit.

“Duhet të bëhet më tepër për të siguruar se ata që kanë kryer vepra të këtilla, të dalin para drejtësisë”, theksohet në raportin e organizatës, Amnesty International, të publikuar të martën.

Në disa raste, personat e dënuar për këto krime, kanë përfituar nga dispozitat të cilat mundësojnë që dënimet me burg prej 12 muajve ose më pak, mund të shndërrohen në dënim me të holla.

“Kjo praktikë në të vërtetë lejon që të dënuarit për krime të dhunimit dhe dhunës seksuale,ta blejnë kohën e tyre dhe të qëndrojnë jashtë burgut”, thekson raporti, duke i detajizuar së paku dy raste, ku të dënuarit e kishin nënshkruar marrëveshjen për fajësi ose kishin marrë dënime të reduktuara dhe pastaj i kishin paguar dënimet me të holla, për ta evituar burgosjen.

“Duke i parë pengesat e jashtëzakonshme, që ato duhet t’i kalojnë me qëllim të dëshmimit në gjykatë, viktimat e kanë një perceptim se dënimet nuk e reflektojnë mizorinë e krimeve të kryera kundër tyre, dhe këtë e kuptojnë si ndëshkim të ri dhe burim shtesë të vuajtjes”, thotë raporti.

Për ta rritur besimin e viktimave në sistemin e drejtësisë, shteti duhet ta forcojë mbrojtjen e dëshmitarëve dhe ta miratoj një program për viktimat e dhunës seksuale, ku përfshihet edhe kompensimi, rekomandon Amnesty International.

“Bosnjë-Hercegovinës i mungon kornizae bazuar në drejtësinë e plotë dhe gjithështetërore, për kompensim të viktimave civile të luftës, përfshirë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës”, thekson raporti dhe shton se “sa i përket shoqërisë në Bosnjë, që ende po ripërtërihet nga pasoja e luftës shkatërruese, drejtësia e ngadalshme dhe joefikase, e forcon ndjenjën e mosndëshkimit dhe e shkatërron besimin e shtetasve në sistemin penal të drejtësisë”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG