Ndërlidhjet

Krerët fetarë kundër paragjykimeve ndaj viktimave të dhunës seksuale të luftës


Instalacioni “Mendoj për ty” i artistes Alketa Xhafa-Mripa, kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Instalacioni “Mendoj për ty” i artistes Alketa Xhafa-Mripa, kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shoqëria kosovare nuk duhet të paragjykojë të kaluarën e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit, pasi që këto viktima janë të pafajshme, është thënë sot në një konferencë të mbajtur në Prishtinë me temën “Të gjithë së bashku me një zë”, që është organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Aty morën pjesë përfaqësuesit e bashkësive fetare në Kosovë, të cilët së bashku përçuan mesazhin te faktori ndërkombëtar dhe institucionet përgjegjëse të Kosovës që të angazhohen seriozisht në identifikimin dhe dërgimin para drejtësisë të të gjithë fajtorëve për këto krime dhe vuajte.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava ka kërkuar që të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës të mos paragjykohen, duke shtuar se ato janë të pafajshme. Tërnava tha se kjo kategori e shoqërisë duhet të trajtohet me prioritet dhe përgjegjësi, duke filluar nga familja e deri tek institucionet më të larta shtetërore.

“Sipas fesë islame nëse një veprim bëhet me imponim nuk konsiderohet mëkat. Të dhunuarit sipas fesë islame kanë tretmanin e të ndershmëve”.

“Jemi të obliguar nga Zoti dhe kemi detyrim shtetëror dhe nacional që këtë kategori ta rehabilitojmë shpirtërisht e moralisht, ta rehabilitojmë në familje dhe rrethe. T’i integrojmë në institucione dhe shoqëri, sepse ato mbi veten e tyre nuk mbajnë asnjë fije faji sepse ato nuk e kanë zgjedhur këtë dhe as që e kanë dëshiruar. Ato thjesht janë viktima të pamundësisë sonë për t’i mbrojtur dhe ruajtur nga personat dhe pushtuesi dhunues”, tha Tërnava.

Video nga arkivi: Protestë në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale

Kërkohet “trajtim i dinjitetshëm” për viktimat e dhunës seksuale
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:17 0:00

Edhe Don Lush Gjergji, Ipeshkvi i Kishës Katolike në Kosovë, tha se kjo çështje është heshtur nga vetë viktimat për shkak të paragjykimeve dhe mospërkrahja, fillimisht nga familja e më pas nga shoqëria.

“Prej protagonizmit të heshtur apo negativ, mundohemi që ato t’i bëjmë protagoniste të vërteta të realitetit të ri në të cilin jetojmë”, tha Don Lush Gjergji.

Edhe udhëheqësit politikë, u janë bashkuar thirrjeve të krerëve fetarë për trajtimin dinjitoz të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në shoqëri.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se bashkësia ndërkombëtare ka dështuar që të dënojë dhunuesit serbë që kanë kryer krime në Kosovë. Sipas tij, po ndodh një amnisti e heshtur e drejtësisë ndërkombëtare përball shtetit të Serbisë dhe kriminelëve që kanë kryer krimet në Kosovë, duke shtuar se disa prej këtyre personave aktualisht mbajnë edhe pozita të larta shtetërore në Serbi.

“Lufta për ne ka mbaruar në vitin 1999, por për të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk ka mbaruar asnjëherë. Për shkak të frikës nga stigmatizimi i cili nuk do duhej të ishte prezent në shoqërinë tonë, të mbijetuarat vazhdojnë të vuajnë në heshtje. Kjo luftë e tyre nuk duhet të lejojë të zgjasë edhe më shumë. Pra, duhet të inkurajojmë të gjitha të mbijetuarat të pranojnë, ballafaqohen me të kaluarën e tyre të hidhur”, tha Thaçi.

Edhe Bashkimi Evropian ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës që të sigurohet që procesi i reparacionit të bëhet në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare ekzistuese dhe ato lokale për të drejtat e njeriut.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se rëndësia e Komisionit qeveritar për verifikimin dhe pranimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale nuk duhet nënvlerësuar.

“Është një e arritur që tashmë është vënë si shembull në vendet e tjera dhe si një model për reparacionin ndaj viktimave të dhunës seksuale”.

“Është mirë që aktivizimi i grave në Kosovë është i zhvilluar aq shumë dhe është shumë mirë që të ketë gra aktiviste që promovojnë dhe avokojnë për të drejtat dhe mirëqenien e të mbijetuarave të dhunës seksuale”.

“Megjithatë, duhet ta përfshijmë të gjithë shoqërinë, duhet t’i përfshijmë meshkujt, bijtë, bijat, nënat, fqinjët, të afërmit e të mbijetuarve. Të gjithë duhet të luajmë një rol, përfshirë institucionet shtetërore”, tha Apostolova.

Ndryshe, në muajin shkurt të vitit të kaluar ka nisur procesi i aplikimit për verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas ligjit në fuqi, procesi i verifikimit është i domosdoshëm për të përfituar beneficionet me ligj të krijuara për këtë kategori. Ndonëse nuk ka të dhëna të sakta, sipas përfaqësuesve shtetërorë vlerësohet se janë 20 mijë viktima të dhunë seksuale gjatë konfliktit të vitit 1998-99.

Atyre që u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, përfitojnë benificione personale prej 230 euro në muaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG