Ndërlidhjet

Vetura godet turmën e njerëzve në Munih, dhjetëra të lënduar


Dhjetëra të lënduar nga sulmi me veturë në Munih
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:00:44 0:00

Dhjetëra të lënduar nga sulmi me veturë në Munih

Një person e ka përplasur një veturë në një turmë njerëzish, të cilët ishin mbledhur për të protestuar, në Munih, të enjten, duke lënduar të paktën 28 persona, përfshirë fëmijë, bënë të ditur autoritetet gjermane.

Sipas autoriteteve, incidenti besohet të ketë qenë sulm, ndërsa i dyshuari – një azilkërkues afgan – është arrestuar.

Pjesëmarrësit në demonstratën e sindikatës së punëtorëve "ver.di" po ecnin nëpër një rrugë afër qendrës së Munihut, rreth orës 10:30 të mëngjesit, kur vetura kaloi një automjet policor që po e përcillte tubimin, rriti shpejtësinë dhe u përplas me njerëzit, raporton Associated Press.

Oficerët arrestuan të dyshuarin pasi shtënë me armë ndaj automjetit, bëri të ditur zëvendësshefi i Policisë, Christian Huber.

Ai shtoi se të paktën 28 persona besohet të jenë lënduar, disa prej të cilëve rëndë.

Një automjet i dëmtuar, i markës Mini, u pa në vendin e ngjarjes, bashkë me mbetje të tjera, përfshirë këpucë.

I dyshuari është një azilkërkues afgan, 24-vjeçar, tha Huber.

“Dyshohet të jetë sulm – shumë gjëra sinjalizojnë këtë”, tha guvernatori i Bavarisë, Markus Soeder, në vendin e ngjarjes.

Incidenti pason një varg sulmesh ku janë përfshirë imigrantët gjatë muajve të fundit, të cilët e kanë vënë imigracionin në ballë të fushatës për zgjedhjet e 23 shkurtit në Gjermani.

Më së fundi, një djalë dyvjeçar dhe në person tjetër u vranë nga një sulm me thikë në Ashafenburg, po ashtu në Bavari.

Siguria do të rritet dukshëm në kryeqendrën bavareze gjatë ditëve të ardhshme, për shkak se Konferenca treditore e Sigurisë në Munih, një tubim i përvitshëm i zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë të politikës së jashtme dhe sigurisë, hapet zyrtarisht të premten.

Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, ka thënë se autoritetet nuk besojnë se incidenti i së enjtes është i lidhur me konferencën, por se ato ende po punojnë për ta përcaktuar motivin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG