Ndërlidhjet

Në kërkim të veprave artistike, të cilave u janë humbur gjurmët


56 vepra janë zhdukur nga Galeria e Arteve e Bosnje e Hercegovinës, nga të cilat 46 janë ikona ortodokse që ende po kërkohen.
56 vepra janë zhdukur nga Galeria e Arteve e Bosnje e Hercegovinës, nga të cilat 46 janë ikona ortodokse që ende po kërkohen.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Drejtësisë e Serbisë, po planifikojnë që të formojnë një grup punues, i cili do të punojë për të parandaluar tregtinë e paligjshme të veprave të artit nga rajoni, ka mësuar Radio Evropa e Lirë, jozyrtarisht nga ato ministri.

Kërkesa e ndërsjellë për vepra arti ndërmjet shteteve të ish-Jugosllavisë është aktualizuar me kërkesat e Bosnjë dhe Hercegovinës për t'u kthyer nga Serbia disa vepra, të cilat ai shtet i konsideron trashëgimi të vetën kulturore.

Për problemin e dimensoneve më të gjera tregoi edhe skandali që ditë më parë ndodhi në lidhje me ikonën, të cilën politikani nga Bosnjë e Hercegovina, Millorad Dodik, ia dhuroi shefit të diplomacisë ruse, Sergey Lavrov, dhe për të cilën Ukraina pretendon se është pronë e saj.

Katër ministri kompetente në Serbi nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me veprat artistike të kërkuara. Ndërkaq, Ministria e Brendshme e Serbisë, jozyrtarisht i ka thënë Radios Evropa e Lirë se këto të dhëna nuk mund të komunikohen, sepse ato janë të natyrës operacionale dhe nën hetimet e drejtuara nga INTERPOL-i.

Siç thuhet në faqen e internetit të INTERPOL-it, baza e të dhënave për veprat e artit të vjedhura, përmban më shumë se 50.000 lëndë. Në shpjegimin e procedurës, thuhet se vendet dërgojnë informacione rreth sendeve të vjedhura dhe të humbura, si dhe më pas ekspertët e INTERPOL-it i shtojnë ato në bazën e të dhënave. Për të hyrë në atë bazë të të dhënave, është e domsdoshme një leje nga INTERPOL-i.

Kërkesat për kthimin e veprave të artit nga Serbia në Kosovë

Problemi i kthimit të veprave të artit, gjithashtu, ekziston edhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në Muzeun Etnografik në Beograd, si pjesë e ekspozitës “Trashëgimia Etnografike nga pronat e Muzeut në Prishtinë”, në vitin 2011, u ekspozuan dhjetëra ekspozita arti me origjinë nga Kosova.

Këto objekte ishin një pjesë e vogël e koleksionit të disa qindra eksponateve që u sollën në Beograd, në një ekspozitë në fund të viteve ‘90, dhe të cilat më nuk u kthyen në Prishtinë.

Ish-regjimi serb, në vitin 1999 kishte marrë nga Muzeu i Kosovës 676 eksponate arkeologjike dhe 571 eksponate etnologjike.

Në dekadën e kaluar, kishte disa iniciativa për kthimin e eksponateve në Kosovë, aty ku ato u gjetën. Bashkë me opinionin e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare, për një gjë të tillë u angazhua edhe Beogradi zyrtar, menjëherë pas përmbysjes së regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Në maj të vitit 2002, derisa në Serbi ishte në pushtet kabineti i kryeministrit Zoran Gjingjiq, u hodh hapi i parë, si një gjest i vullnetit të mirë, duke e kthyer në Prishtinë një eksponat nga koleksioni i Muzeut të Kosovës, “Hyjnesha në Fron”.

Muzeu i Kosovës
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:41 0:00

Për kthimin e këtij eksponati ishte angazhuar asokohe ish-shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara të Kosovës, Mihail Shtainer. “Hyjnesha në Fron” është një eksponat që daton nga mijëvjeçari i katërt para Krishtit dhe e cila u gjet në vitin 1956 në lokalitetin “Tjerrtorja” të Prishtinës.

Zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, deri në publikimin e këtij teksti, nuk u janë pëgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se cili është numri i përgjithshëm i artefakteve dhe veprave të artit në përgjithësi, të cilat regjimi serb i kishte grabitur gjatë tërheqjes nga Kosova dhe se a janë duke bërë përpjekje autoritetet e Kosovës për t’i kthyer ato në vendin e origjinës.

“Magdalena” në qendër të vëmendjes

Në mesin e dhjetorit, Sasha Magazinoviq, një përfaqësues në Parlamenti i Bosnjë e Hercegovinës, i shkroi ministres serbe të Kulturës, Maja Gojkoviq, dhe autoriteteve të Novi Sadit, se në atë qytet ekziston një kanavacë me vaj e vitit 1930, “Magdalena e penduar” e autorit Gjoka Mazalliq, për të cilën thekson që i takon një koleksionuesi nga shteti fqinj, Enver Mullabdiq.

Kjo pikturë është në koleksionin e artdashësit nga Novi Sadi, Gjuro Popoviq. Ky i fundit, thotë për Radion Evropa e Lirë se këtë pikturë e kishte blerë në mënyrë të ligjshme në Serbi, në fillim të viteve ‘90 nga Mulabdiq, si dhe dy piktura tjera dhe një skulpturë , të cilat janë duke u kërkuar në Bosnjë e Hercegovinë.

Muzeu Olimpik në Sarajevë. Muzeu i hapur më 1984, qe shkatërruar gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.
Muzeu Olimpik në Sarajevë. Muzeu i hapur më 1984, qe shkatërruar gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.

“E kam të gjithë dokumentacionin e shkruar. I kam edhe qindra dëshmitarë për këtë”, ka theksuar Popoviq për Radion Evropa e Lirë.

Organizata joqeveritare “Qendra kundër kontrabandës me vepra të artit” nga Bosnjë e Hercegovina, e ka vendosur “Magdalenën e penduar” në faqen e saj të internetit, në regjistrin e veprave të artit të vjedhura ose të zhdukura në Bosnë e Hercegovinë. Për të thuhet që është zhdukur në vitin 1993, ndërkaq raportimi për zhdukjen e saj është paraqitur në vitin 2006.

“Nuk mundet asnjë organizatë joqeveritare ta shapllë dikë fajtor pa një vendim gjyqësor”, theksoi Popoviq për Radion Evropa e Lirë.

Qysh në vitin 2017, “Magdalena” ishte temë në opinion, kur atëherë Enver Mullabiq kishte thënë për Radion Evropa e Lirë që kjo pikturë qëndronte më parë në banesën e tij në Bosanko Novi dhe se në korrik të vitit 1992 , bashkë me familjen e tij ishte dëbuar nga aty. Më vonë, pas kthimit nga Gjermania, më 1998, nuk kishte arritur që ta kthejë pikturën, si dhe tri vepra më të çmueshme të artit të koleksionit të tij.

“Është shpallur si një aset kombëtar i Bosnjë e Hercegovinës, ndërkaq para kësaj, ajo kishte statusin e një monumenti kombëtar”, tha Mullabdiq në atë kohë.

Përgjigjja e koleksionistit nga Novi Sadi

Guro Popoviq nga Novi Sadi, në koleksionin e të cilit gjendet ajo pikturë tash e gati 30 vjet, thotë se “Magdalena” edhe para kësaj ngjarjeje ishte objekt i hetimit policor.

“Më ishte marrë dhe deponuar në Muzeun e qytetit të Novi Sadit. Pas verifikimit më është kthyer, si një blerës i vetëdijshëm”, thekson Popoviq.

Muzeu Kombëtar i Beogradit, gusht 2020.
Muzeu Kombëtar i Beogradit, gusht 2020.

Deputeti i Bisnjë e Hercegovinës, Sasha Magazinoviq, gjithashtu në dhjetor të këtij viti, ka deklaruar poblikisht që “Magdalena e penuar” do të ekspozohet në manifestimin në kuadër të shpalljes së Novi Sadit si Kryeqyteti evropian i kulturës 2021, gjë që në një përgjigje për Radion Evropa e Llirë u mohua nga Fondacioni kompetent Novi Sadi 2021.

Fondacioni theksoi që faqja e internetit që potencohet në shkrimin e këtij politikani, nuk i takon organizatës, ndërkaq logoja, e cila gjendet në atë faqe të internetit, daton që nga periudha e kandidimit për Kryeqytet evropian të kulturës në vitin 2014. Ky fondacion ka shtuar që ndërkohë janë ndërruar tërësisht udhëheqësit e projektit, si dhe libri i programit dhe aplikimit, gjë që i solli Novi Sadit titullin e Kryeqytetit kulturor.

Magazinoviq, ndërkohë ka shkuar në Serbi, ku siç shihet në llogarinë e tij në Twitter, është takuar me ambasadoren e Bosnjë e Hercegovinës, për të diskutuar për monumentet kombëtare të Bosnjë e Hercegovinës, të cilat, siç ka thënë ai, duhet të kthehen në shtëpi.

Ambasada e Bosnjë e Hercegovinës në Serbi, lidhur me këtë temë, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.

Vjedhja e artefakteve në krye të krimit

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Alleksandar Vullin dhe ministrja e Kulturës dhe Informimit, Maja Gojkoviq, më 21 dhjetor, kanë biseduar në Beograd për aktivitetet e përbashkëta për parandalimin e tregtisë së paligjshme me veprat artistike në rajon.

Maja Gojkoviq, zëvendëskryeministre dhe ministre e Kulturës dhe Informacionit, dhe Aleksandar Vulin, ministër i Brendshëm i Serbisë. Beograd, 21 dhjetor 2020.
Maja Gojkoviq, zëvendëskryeministre dhe ministre e Kulturës dhe Informacionit, dhe Aleksandar Vulin, ministër i Brendshëm i Serbisë. Beograd, 21 dhjetor 2020.

“Vjedhja e veprave artistike, artefakteve arkeologjike dhe tregtia e paligjshme me të mirat kulturore, për nga vëllimi dhe intensiteti qëndrojnë menjëherë pas tregtisë së armëve dhe narkotikëve. Në luftën kundër këtij lloji të kriminalitetit është i domosdoshëm koordinimi i vazhdueshëm i të gjitha institucioneve në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar”, është thënë në komunikatën e përbashkët.

As Ministria e Punëve të Brendshme dhe as Ministria e Kulturës dhe Informimit e Serbisë, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për detajet e takimit.

Dhurata për Sergey Lavrovin

Se sa i madh është problemi për të cilin bëhet fjalë, ka treguar edhe rasti i ikonës së praruar me ar, 300 vjet e vjetër, të cilën kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, ia dhuroi shefit të diplomacisë ruse, Sergey Lavrov, gjatë vizitës së këtij të fundit kohë më parë në Sarajevë dhe për të cilën Ukraina thotë që është e saj.

“Ky ka qenë një turp i madh për të gjithë popullin serb. Në qoftë se nuk vihet pika mbi këtë çështje, në qoftë se kjo nuk zgjidhet, kam frikë që edhe në dekadat e ardhshme do të na ndjekë turpi”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Alleksandar Marton, funksionar i partisë politike Lidhja e Socialdemokratëve të Vojvodinës (LSV). Kjo parti, më 20 dhjetor, u ka bërë thirrje autoriteteve të vendeve të rajonit që menjëherë t’ua kthejë pronarëve veprat artistike, të cilat janë grabitur gjatë viteve ‘90.

Lideri i LSV-së, Nenad Çanak, ka deklaruar më 20 dhetor, se në vitin 2001, kur ai ishte në krye të Kuvendit të Vojvodinës, ai institucion e ka kthyer në Muzeun e qytetit të Vukovarit në Kroaci, koleksionin e Bauerit me rreth 3.000 vepra arti.

“Në vend që ta ekspozohet tash në Novi Sad piktura e vjedhur, ajo thjesht duhet të dërgohet, për shembull, në derën e Ambasadës së Bosnjë dhe Hercegovinës në Beograd”, i ka thënë Çanak agjencisë Beta.

Nuk ka asnjë listë të veprave të zhdukura

Lista e thesareve të vjedhura kombëtare në hapësirat e ish-Jugosllavisë, e të cilat, jozyrtarisht, numërohet me dhjetëra mijëra, nuk është publikuar, ndërkaq që katër vjet më parë Kroacia njoftoi se po i kërkonte Serbisë pak më shumë se një mijë të mira kulturore nga kishat dhe manastiret ortodokse.

Nga Bosnjë e Hercegovina, gjatë luftës dhe pas saj, u zhdukën shumë vepra arti nga institucionet kulturore dhe të tjera, si galeritë private, nga koleksionet dhe nga apartamentet. Nuk ka një listë përfundimtare të të gjitha veprave të vjedhura.

Në databazën e veprave artistike të vjedhura të organizatës joqeveritare Qendra kundër kontrabandës me vepra arti, gjenden 170 vepra. Siç u tha për Radion Evropa e Lirë, nga Galeria e Arteve e Bosnjë e Hercegovinës janë zhdukur 53 vepra, 46 prej të cilave janë ikona ortodokse. Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, INTERPOL-i është duke i gjurmuar 109 vepra të artit nga Bosnjë e Hercegovina.

Pse është i ngadaltë procesi i kthimit?

Dobrivoje Radovanoviq, ish-drejtor i Institutit të Beogradit për hulumtime kriminalistike dhe sociologjike, thotë për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për çështje poltike, e cila, siç konsideron ai, nuk do të zgjidhet derisa të mos zgjidhet i gjithë kompleksiteti i problemeve që ekzistojnë ndërmjet shteteve të rajonit.

“Për një gjë të tillë nevojitet vullneti politik, sepse gjithçka që po ndodh ndërmjet ish-republikave jugosllave, po ndodh me ndihmën ose mungesën e ndihmës së vullnetit politik. Kështu është edhe në këtë rast”, thotë Radovanoviq.

Ai konsideron që kryesisht dihet se çfarë ka ndodhur me artefaktet e zhdukura.

“Por, pse nuk po zgjidhet ky problem, pas kaq vitesh nga lufta në këto hapësira? Me siguri për shkak se disa nga këto vepra arti janë në pronësi të njerëzve të fuqishëm, të cilët nuk duan që kjo çështje të zgjidhet”, thekson Radovanoviq.

Alleksandar Marton nga LSV-ja, konsideron që të gjitha palët duhet të kthejnë të mirat kulturore të tjetërsuara.

“Kjo do të ishte një faqe e rëndësishme në librin e marrëdhënieve të mira në rajon. Siç thuhet, llogaria e pastër - dashuri e gjatë”, thekson Marton.

Serbia ka arritur, gjithashtu, në fokusin e medieve, si një strehimore për veprat artistike të vjedhura. Në vitin 2012, në Beograd u gjet piktura me vlerë përrallore “Djaloshi me jelek të kuq” e autorit Pol Sezan, një prej artistëve më të mëdhenj të fundit të shekullit 19, pikturë kjo e cila ishte vjedhur nga muzeu në Cyrih të Zvicrës, në vitin 2008.

Siç kishte deklaruar asokohe prokurori i Serbisë për krimin e organizuar, “Djaloshi me jelek të kuq” i vlerësuar me 100 milionë e 600 mijë euro, do të shitej në Serbi për 3.5 milionë euro.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG