Ndërlidhjet

Vendet e Ballkanit P. e kanë “rrugën e vet në procesin e zgjerimit”


Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi.
Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi.

Pas rekomandimit të Komisionit Evropian për t’ua dhënë statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, këto dy shtete e kanë tejkaluar formalisht Bosnje-Hercegovinën në procesin e zgjerimit, ndonëse ky shtet ka aplikuar qysh më 2016.

Për dallim nga Bosnja, Kosova as nuk ka aplikuar ndonjëherë për anëtarësim.

Sipas burimeve diplomatike në BE, zyrtarët e bllokut kanë pasur mjaft diskutime rreth asaj sesi do të kuptohet në Ballkanin Perëndimor dhënia kaq e shpejtë e rekomandimit për Ukrainën dhe Moldavinë, ndërkohë që vendet e rajonit presin me vite dhe procesi ec ngadalë apo fare.

Edhe në një konferencë për media të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Komisionarit për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, zyrtarët janë pyetur lidhur me Ballkanin Perëndimor.

Në pyetjen se pse nuk është shfrytëzuar rasti për të rekomanduar statusin e kandidatit edhe për Bosnje e Hercegovinën, Varhelyi ka thënë se ky shtet e ka “rrugën e vet”.

“Bosnja e Hercegovina po ndjek procesin e vet në këtë rrugë dhe ka 14 kushte që duhet plotësuar. Po e presim këtë shtet që të lëvizë në përmbushjen e këtyre kritereve”, ka thënë ai.

Ai është pyetur edhe nëse do të ndryshohet korniza negociuese e BE-së për negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, siç po kërkon Bullgaria.

“Nuk jam në dijeni për asnjë kornizë negociuese, por jam në dijeni për një bllokim të plotë në Sofje. Në këtë moment nuk mund të flasim për asnjë kornizë negociuese”, është përgjigjur Varhelyi.

Bullgaria vazhdon ta pengojë vendimin e Këshillit të BE-së për të miratuar kornizën negociuese pa të cilën nuk mund të hapen negociatat e anëtarësimit, për shkak të kontestit që ka të bëjë me gjuhën dhe të kaluarën historike.

Maqedonia e Veriut ka aplikuar për anëtarësim në BE 18 vjet më parë.

Zyrtarët janë pyetur edhe për mundësinë e nisjes së negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë para se të nisin me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndonëse këto dy të fundit i kanë përmbushur të gjitha kriteret.

“Shpresojmë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të kenë konferencën e parë ndërqeveritare (ku nisen negociatat e anëtarësimit) dhe të mos ketë vonesa të reja. Po flasim për ditë e jo muaj”, ka thënë mes tjerash Komisionari i BE-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG