Ndërlidhjet

Gjykata i cakton masën e paraburgimit kryebashkiakut të Tiranës për dyshimet për korrupsion


Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke u futur në veturën e policisë pasi u arrestua nën dyshimin për korrupsion, më 10 shkurt në Tiranë.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke u futur në veturën e policisë pasi u arrestua nën dyshimin për korrupsion, më 10 shkurt në Tiranë.

Gjykata e Posaçme vendosi që kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të qëndrojë në paraburgim, ndërsa bashkëshortes së tij, Ajola Xoxës, iu lehtësua masa e sigurisë nga "arrest shtëpiak" në "detyrim paraqitje" dhe i ndalohet dalja jashtë vendit.

Veliaj, një figurë e rëndësishme e partisë në pushtet në Shqipëri, Partia Socialiste, u arrestua të hënën dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) kishte kërkuar që ai të mbahet në paraburgim.

Ai akuzohet për korrupsion që përfshin të paktën 1.1 milion euro fonde publike, të cilat pretendohet se u janë dhënë bizneseve e të cilat në këmbim i jepnin familjes së tij fitime të paligjshme.

Ai dhe bashkëshortja u paraqitën në mëngjes në Gjykatën e Posaçme, ku seanca u ndërpre rreth 5 orë paraditen e së mërkurës, pasi avokatët kërkuan kohë të njihen me dosjen prej 400 faqesh. Seanca rifilloi në 13:30 dhe zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes.

Derisa Veliaj doli para gjykatës, kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste në pushtet, Edi Rama, tha para deputetëve se “nuk ka prova” ndaj Veliajt dhe e cilësoi dosjen e prokurorisë si “një roman prej 400 faqesh, me shumë personazhe, por pa fakte”.

Ai theksoi se qëndrimi i Qeverisë dhe partisë që drejton për të mbështetur drejtësinë dhe luftën ndaj korrupsionit nuk ndryshon, por tha se “mungon një palë konstruktive që të jetë garantuese e pavarësisë së drejtësisë”.

Në këtë rast po hetohet edhe deputetja socialiste, Klotilda Bushka, e dyshuar për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Bushka tha se nuk është thirrur asnjëherë dhe nuk i është dhënë mundësia të sqarohet. Ajo pranoi se ka qenë pjesë e disa aktiviteteve të shoqërisë civile, por tha se ka qenë aty si “bashkëpunëtore dhe mike e organizatorëve”.

Më vonë, përmes një reagimi, Këshilli i Lartë Gjyqësor u bëri thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin trysninë në formën e deklaratave, citimeve apo aludimeve që cenojnë gjyqtarët për shkak të ushtrimit të funksionit.

"KLGJ mban qëndrimin se çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit", thuhet në reagimin e Këshillit.

Veliaj - në mandatin e tij të tretë si kryetar bashkie - dyshohet se ka krijuar një skemë korruptive mes disa kompanive në pronësi të bashkëshortes së tij dhe gjashtë biznesmenëve të lidhur me të.

Ai i ka mohuar të gjitha akuzat.

SPAK tha se hetimet kanë gjetur se Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë “ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme”.

Hetimet kanë treguar se bashkëshortja e Veliajt, vetë ose përmes personave të afërt me të, ka bërë blerje online në vlerën 86.721.175 lekë (873.878 euro), kryesisht veshje dhe bizhuteri. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar, siç e parashikon ligji.

Gjykata ka urdhëruar edhe sekuestrimin e disa llogari bankare të Ajola Xoxës dhe shoqërive të lidhura me të, që kapin vlerën e 869.149 eurove.

Ndërsa, në zyrat e një prej shoqërive të administruara prej saj janë gjetur në një kasafortë dhe janë sekuestruar 95.350 euro, 14,900 dollarë dhe 665.000 lekë (6.700 euro).

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG