Shoqata për të Drejtat e Pacientëve ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse shtetërore të Kosovës, që të pezullojë nga puna të gjithë personat që janë të përfshirë në çështjen e lidhjes së kontratës për furnizimin e Qendrës Klinike Universitare me operatorin ekonomik, që dyshohet se ka ofruar gaz medicinal pa licencë.
Reagime nga kjo shoqatë ka pasuar për të paktën dy raste të cilësuara si vdekje të dyshimta, që ndodhën më 7 shtator brenda sallave operative në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të cilat po vazhdojnë të hetohen nga Prokuroria e Shtetit.
Dyshimi kryesor për këto vdekje bie mbi gazin medicinal që është përdorur gjatë operacioneve.
Besim Kodra, kryetar i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo kërkesë pason rastet e vdekjeve të dyshimta në sallat e operacionit në Qendrën Klinike Universitare.
“Sa i përket numrit të të vdekurve ne kemi informatë që janë katër vdekje, derisa brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës thonë se janë dy raste. Për neve është shqetësuese pse institucioni ka lidhur kontratë me operatorin që nuk ka kontratë. Ne kemi bërë thirrje Prokurorisë që të zbardhë gjithë rastin, si dhe Kuvendit të Kosovës që të thërras një interpelancë për këtë rast”, tha Kodra.
Ai ka shtuar se si Shoqatë për të Drejtat e Pacientëve, nuk ka marrë ankesa nga familjarët për rastet e vdekjeve, si dhe thotë se në përgjithësi pacientët nuk dinë shumë për të drejtat e tyre që ua garanton ligji.
“Ne nuk kemi pasur ankesa nga familjarët si shoqatë, pasi këto informata kanë shkuar direkt në Polici dhe Prokurori. Por ne si shoqatë mendojmë se kushtet në QKUK nuk janë të dinjitetshme për pacientët, dhe nuk i plotësojnë as kushtet elementare, sigurisht për shumë arsye, duke u nisur nga buxheti i ulët,” tha Kodra.
Në anën tjetër, Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë tha se kontraktuesit me operatorin ilegal duhet të japin përgjegjësi para drejtësisë.
“Gjendja është shqetësuese, por nuk do të paragjykoj asnjë rezultat final që mund të ndodhë. Prokuroria do ta ketë fjalën e vet, dhe ne kemi apeluar që sa më shpejtë të zbardhet e vërteta në mënyrë që mos të krijohet panik në opinion”.
“Unë mendoj se kush e ka lidhur kontratën me operatorin ekonomik, do duhej të përgjigjet para gjykatës”, tha Syla.
Ndryshe, Curr Gjocaj, drejtor i përgjithshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka deklaruar se bazuar në Prokurorinë dhe Mjekësinë Ligjore, deri më tani nuk ka një shkaktar të sigurt që ka çuar në vdekjen e dyshimtë të pacientëve.
“Është dyshuar për një gaz që është përdorur në sallat operative, por për hir të së vërtetës nuk jemi të sigurt për këtë. Kjo pasi gazi është përdorur në gjithë institucionet shëndetësore private dhe publike, dhe duke mos gjetur shkaqe tjera, as të natyrës subjektive dhe as objektive, dyshimet kanë rënë mbi gazin. Besojmë që hetuesia do të zbardhë rastin, pasi Prokuroria ka marrë mostrat origjinale të gazit që është përdorur atë ditë në sallat operative”, tha Gjocaj.
Sidoqoftë, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Uran Ismaili, tashmë ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se dyshimet janë hedhur mbi atë gaz medicinal që është përdorur te pacientët, derisa ka shtuar se gjitha institucioneve gjegjëse u është lutur që të përshpejtojnë situatën dhe të dalin me rezultate konkrete për hir të së vërtetës.
Përveç dy rasteve të vdekjeve në sallat operative, ndërkohë Policia e Kosovës ka konfirmuar se po heton edhe të paktën dy raste tjera, që ishin raportuar nga familjarët, po ashtu si vdekje të dyshimta.