Ndërlidhjet

Lamtumira e fundit për viktimat e zjarrit në Koçan


Pamje nga Koçani në nisje të varrimit të viktimave.
Pamje nga Koçani në nisje të varrimit të viktimave.

Maqedonia e Veriut ka qenë në dhimbje të thellë më 20 mars teksa ka kryer procesin e varrimit të viktimave të një zjarri që ka shpërthyer në një klub nate në Koçan, duke vrarë 59 njerëz dhe ka nxitur protesta kundër-korrupsionit.

Viktimat janë varrosur në Shtip, Koçan, Çeshinovo-Oblleshevo, por edhe në Shkup dhe qytete tjera të Maqedonisë së Veriut.

Dhimbja dhe tronditja vërehen në gjithë shtetin prej incidentit në klubin e natës Puls më 16 mars, ku besohet se zjarri është përhapur nga ndezja e mjeteve piroteknike në një koncert të muzikës hip-hop.

Në sheshe të ndryshme qytetarët janë parë duke ndezur qirinj dhe duke u lutur për të vdekurit.

Më i riu që ka vdekur në tragjedi ka qenë një 16-vjeçar, ndërsa më i vjetri 48, ka bërë të ditur Zyra e Prokurorit më 20 mars.

Pjesa më e madhe e viktimave ishin të grup-moshës prej 24 deri në 26 vjeç.

Të paktën 155 njerëz janë lënduar në këtë incident. Autoritetet kanë thënë se 10 pacientë janë në gjendje të rëndë, por janë rrezikut për jetë.

Një pjesë e tyre janë duke u trajtuar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa disa në vendet fqinje.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut urdhëroi institucionet shtetërore dhe këshilloi qeveritë lokale dhe punëdhënësit e sektorit privat t’i lirojnë të gjithë të punësuarit në territorin e Koçanit nga detyrat e punës për ditën e varrimit.

Kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit (KMK-OA), kryepeshkopi Stefan, ka bërë thirrje për unitet dhe lutje pas tragjedisë së tmerrshme në Koçan.

Qeveria maqedonase ka shpallur shtatë ditë zie për këtë tragjedi, ku shumica e viktimave ishin të rinj.

Autoritetet kanë premtuar hetim të shpejtë dhe të plotë, si dhe kanë arrestuar 23 dyshuar deri tani, 11 prej të cilëve ndodhen në paraburgim.

Autoritetet kanë zbuluar se klubi operonte në mënyrë të paligjshme, nuk kishte dokumente të vlefshme për punë, nuk dispononte leje për përdorimin e piroteknikës dhe nuk kishte nënshkruar kontratë me grupin muzikor.

Ndër shkeljet e konstatuara është edhe lejimi i të miturve në klub.

Rreth 500 njerëz ndodheshin në klubin e natës kur zjarri shpërtheu teksa bendi ADN po përformonte.

Ndërkohë, të gjithë të lënduarit në zjarrin e Koçanit po mjekohen në vend dhe në qendrat e specializuara mjekësore jashtë vendit.

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut njoftoi të mërkurën se 64 pacientë janë duke u mjekuar në institucionet publike shëndetësore në vend, dhe janë në gjendje relativisht të qëndrueshme, ndërsa 13 të tjerë janë duke u mjekuar në objektet shëndetësore private dhe 101 pacientë po mjekohen jashtë vendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG