Reuters
Varianti Omicron i koronavirusit - forma më e zakonshme e të cilit njihet si BA.1 - është tani përgjegjës për gati të gjitha rastet e të infektuarve në botë.
Megjithatë, shkencëtarët janë duke ndjekur një rritje të numrit të rasteve, të shkaktuar nga një “kushëri” i afërt i Omicronit, i njohur si BA.2.
BA.2 ka nisur t’i bëjë konkurrencë BA.1-shit në disa pjesë të Evropës dhe Azisë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, BA.1 është gjetur në 98.8 për qind të rasteve, të paraqitura në bazën e të dhënave publike të viruseve, GISAID, deri më 25 janar.
Por, në ditët e fundit, sipas OBSH-së, disa vende kanë raportuar rritje të numrit me nënvariantin e njohur si BA.2.
Përveç BA.1 dhe BA.2, OBSH-ja rendit edhe dy nënvariante të tjera nën ombrellën e Omicronit: BA.1.1.529 dhe BA.3.
Të gjitha janë të lidhura ngushtë gjenetikisht, por secili prej tyre përmban mutacione që mund t’ua ndryshojnë mënyrën se si sillen.
Trevor Bedford, virolog në Qendrën e Kancerit Fred Hutchinson në SHBA, i cili ka ndjekur evolucionin e koronavirusit SARS-CoV-2, ka shkruar të premten në Twitter se BA.2 përfaqëson afërsisht 82% të rasteve në Danimarkë, 9% në Mbretërinë e Bashkuar dhe 8% në Shtetet e Bashkuara.
Versioni BA.1 i Omicronit ka qenë disi më i lehtë për t’u gjurmuar sesa variantet e mëparshme.
Kjo, për shkak se atij i mungon njëri nga tre gjenet që i identifikojnë testet PCR dhe të gjitha rastet që kanë treguar këtë model, janë vlerësuar automatikisht si BA.1.
Te BA.2 nuk mungon ai gjen. Shkencëtarët janë duke e monitoruar atë në të njëjtën mënyrë sikurse edhe variantet e mëparshme, përfshirë variantin Delta.
Sikurse edhe në rastin e varianteve të tjera, BA.2 mund të zbulohet edhe me teste shtëpiake të koronavirusit. Megjithatë, sipas ekspertëve, testet e tilla nuk mund të tregojnë se cili variant është përgjegjës.
Disa raporte të hershme tregojnë se BA.2 mund të jetë edhe më infektues se BA.1, i cili është jashtëzakonisht ngjitës, por nuk ka prova se mund t’i shmanget mbrojtjes nga vaksina.
Zyrtarët danezë shëndetësorë thonë se, bazuar në të dhënat paraprake, BA.2 mund të jetë 1.5 herë më i transmetueshëm se BA.1, megjithëse ka të ngjarë të mos shkaktojë sëmundje më të rëndë.
Në Angli, një analizë e bërë nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar (HSA), nga 27 dhjetori, 2021, deri më 11 janar, 2022, ka treguar se transmetimi në familje është më i lartë midis njerëzve të infektuar me BA.2 (13.4% ), krahasuar me variantet e tjera të Omicronit (10.3%).
Sipas raportit të publikuar më 28 janar, HSA nuk ka gjetur dallime në efektivitetin e vaksinës.
Një pyetje kritike është nëse njerëzit që janë infektuar në valën e BA.1-shit do të jenë të mbrojtur nga BA.2, thotë Egon Ozer, ekspert i sëmundjeve infektive në Shkollën e Mjekësisë Feinberg të Universitetit Northwestern, në Çikago.
Ky ka qenë një shqetësim në Danimarkë, ku disa lokacione që kanë raportuar numër të lartë të rasteve me BA.1, kanë raportuar edhe raste në rritje me BA.2, thotë Ozer.
Megjithatë, sipas tij, është ende herët të nxirret ndonjë konstatim.
Lajm i mirë, thotë ai, është se vaksinat dhe dozat përforcuese ende “i mbajnë njerëzit jashtë spitaleve dhe larg vdekjes”.
Facebook Forum