Ndërlidhjet

Kievi kërkon “reagim të fuqishëm” nga aleatët për shkak të trupave të Koresë së Veriut


Kryediplomati ukrianas, Andriy Sybiga. Fotografi nga arkivi.
Kryediplomati ukrianas, Andriy Sybiga. Fotografi nga arkivi.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiga, kërkoi një “reagim të menjëhershëm dhe të fuqishëm” nga aleatët e Kievit, duke thënë se Koreja e Veriut po e ndihmon Rusinë me ushtarë dhe armë.

Kjo deklaratë vjen pasi agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut tha se Koreja e Veriut ka vendosur që të dislokojë trupa për të mbështetur luftën e Moskës kundër Ukrainës.

Njoftimi i Seulit nxiti shqetësimin nga Franca dhe Britania, dy aleate të Ukrainës.

“Rusia seriozisht po e përshkallëzon agresionin e saj duke e përfshirë Korenë e Veriut si palë”, shkroi Sybiga në X.

“Ne kërkojmë reagim të menjëhershëm dhe të fuqishëm nga komuniteti euroatlantik dhe bota”, tha ai.

Kryediplomati ukrainas tha po ashtu se Koreja e Veriut “po e ndihmon agresionin rus kundër Ukrainës me armë dhe personel”.

Sipas tij, këta ushtarë të Koresë së Veriut nuk janë mercenarë, por “njësi të rregullta, që Moska planifikon t’i përdorë”.

Ai po ashtu u bëri thirrje aleatëve që të forcojnë ndihmën e tyre për Ukrainën dhe të mbështesin planin e paraqitur nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, për t’i dhënë fund luftës që Rusia e nisi në shkurt të vitit 2022.

Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare i Koresë së Jugut (NIS) tha në një komunikatë më 18 tetor se ka gjurmuar lëvizjet e ushtrisë së Veriut nga 8 deri më 13 tetor dhe se ka kapur imazhe të Koresë së Veriut duke dërguar forca speciale në territorin rus përmes një anije ruse.

Ajo tha se kjo është hera e parë që një anije e Marinës Ruse u zbulua duke hyrë në ujërat e Koresë së Veriut prej vitit 1990, "duke konfirmuar fillimin e pjesëmarrjes së ushtrisë koreanoveriore në luftë”.

Thashethemet mbi rolin e Koresë së Veriut në konflikt janë shtuar pas forcimit të marrëdhënieve midis Moskës dhe vendeve si Koreja e Veriut dhe Irani, gati 32 muaj pasi Moska e filloi pushtimin e plotë të Ukrainës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG