Ndërlidhjet

Zelensky thotë se Ukraina po i merr në pyetje ushtarët e kapur koreanoveriorë


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Hetuesit ukrainas janë duke i marrë në pyetje dy ushtarë nga Koreja e Veriut, të cilët u zunë nga forcat ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë, tha të shtunën presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

"Këta janë dy ushtarë që, megjithëse të plagosur, mbijetuan dhe u dërguan në Kiev, ku po flasin me hetuesit e SBU-së [Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës]", tha Zelensky në Telegram.

Zelensky postoi në Telegram gjithashtu edhe fotografi të ushtarëve për të cilët thotë se janë kapur.

Zelensky tha se kapja e këtyre ushtarëve ishte “e vështirë.” Ai pohoi se forcat ruse dhe koreanoveriore, që luftojnë në Kursk, kanë tentuar ta fshehin praninë e ushtarëve nga Koreja e Veriut, përfshirë duke i vrarë shokët e tyre të plagosur në fushëbetejë për ta shmangur kapjen e tyre dhe marrjen në pyetje nga Kievi.

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) të shtunën dha më shumë hollësi rreth dy ushtarëve. Në një komunikatë, thuhet se njëri prej tyre nuk kishte asnjë dokument, ndërsa tjetri mbante një kartelë identiteti ushtarake ruse në emër të një burri nga Tuva, një rajon rus që kufizohet me Mongolinë.

“Të burgosurit nuk flasin as ukrainisht, as anglisht e as rusisht, prandaj komunikimi me ta bëhet përmes përkthyesve koreanë në bashkëpunim me inteligjencën e Koresë së Jugut”, thuhej në komunikatë.

Sipas SBU-së, njëri nga ushtarët pretendoi se i ishte thënë se po shkonte në Rusi për trajnim, dhe jo për të luftuar kundër Ukrainës.

Agjencia tha se të dy burrat janë trajtuar me kujdes mjekësor në përputhje me Konventat e Gjenevës dhe po hetohen “në bashkëpunim me inteligjencën e Koresë së Jugut”.

Kjo është hera e parë që autoritetet ukrainase publikojnë pamje të ushtarëve të kapur koreanoveriorë.

Vitin e kaluar, Moska i dërgoi rreth 11.000 ushtarë koreanoveriorë në Kursk për të mbështetur forcat ruse në rajon, i cili është pjesërisht nën kontrollin e forcave ukrainase që nga gushti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG