Ukraina ka kryer sulm masiv me dronë në Moskë dhe rajonin e saj, duke vrarë të paktën tre persona dhe duke dëmtuar ndërtesa të banimit dhe infrastrukturë tjetër, teksa diplomatët prej Uashingtonit dhe Kievit përgatiten për t’u takuar në Arabinë Saudite.
Sipas Andrei Vorobyovit, guvernatorit të rajonit të Moskës, dhjetëra persona janë plagosur në sulmet që kanë ndodhur në orët e para të 11 marsit. Për viktimat është raportuar për qytezën Vidnoje dhe fshatin Jam, afër qytezës Domodedovo.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se 337 dronë të nisur nga Ukraina janë rrëzuar.
Ende nuk dihet saktë se sa dronë janë përfshirë në këtë sulm, më të madhin në territorin rus në javët e fundit.
Ky sulm ka ndodhur teksa zyrtarë të lartë amerikanë dhe ukrainas po përgatiten që të takohen në Arabinë Saudite për të diskutuar se si t’i jepet fund luftës në Ukrainë.
Në ditët e fundit, Rusia i ka shtuar sulmet në infrastrukturën ukrainase dhe shënjestra civile, teksa diplomacia rreth luftës është intensifikuar.
Në disa fotografi dhe video të paverifikuara nga Moska dhe rrethina, është parë momenti i kryerjes së sulmeve me dronë në ndërtesa të banimit.
Ukraina nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Sulmi ka ndikuar edhe në punën e disa aeroporteve. Agjencia Federale e Rusisë për Transport Ajror, ka raportuar se aeroportet Zhukovski dhe Domodedovo e kanë pezulluar përkohësisht punën për shkak të sulmeve.
Ndërkohë edhe aeroporti i Vnukovos nuk ka pranuar aeroplanë në ardhje.
Situata vazhdon të jetë e tensionuar teksa autoritetet vlerësojnë shkallën e dëmit nga sulmet dhe vazhdojnë të monitorojnë situatën për mundësinë e kërcënimeve potenciale.
Ndërkohë, forcat ukrainase për mbrojtje ajrore kanë thënë më 11 mars se kanë rrëzuar një raketë balisitike ruse, Iskander-M dhe 79 dronë përgjatë natës.
Dronët është raportuar të jenë rrëzuar në disa rajone, përfshirë Kievin, Odesan, Dnjipropetrovskun dhe Harkivin.