Ndërlidhjet

IKSHPK: Uji nga kanali i Ibër-Lepencit është i pijshëm


Punëtorët duke kryer sanime në kanalin e dëmtuar të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, 2 dhjetor, pas sulmit të 29 nëntorit që autoritetet kosovare e cilësuan si terrorist.
Punëtorët duke kryer sanime në kanalin e dëmtuar të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, 2 dhjetor, pas sulmit të 29 nëntorit që autoritetet kosovare e cilësuan si terrorist.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njoftoi të hënën se uji nga kanali i Ibër-Lepencit mund të përdoret edhe për pije tani, rreth dy javë pas një sulmi që e dëmtoi kanalin në veriun e vendit.

Në një njoftim në Facebook, instituti tha se i ka bërë analiza laboratorike ujit në impiantet e trajtimit të tij në Shipol, Balincë, Drenas dhe Shkabaj, në katër ditët e fundit.

“Rezultatet laboratorike nga dy laboratoret, IKSHPK dhe QRSHP-Mitrovicë, për katër ditët e fundit (e premte, e shtunë, e diele dhe e hënë, 06-09 dhjetor-2024) rezultojnë brenda standardeve të parapara për ujin e pijes për të gjithë parametrat e kërkuar sipas UA 10/2021 ”Cilësia e Ujit të destinuar për konsum nga njeriu”, tha IKSHPK.

Shpërthimi në Ibër-Lepenc: Sfidë për institucionet, frikë për banorët lokalë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:29 0:00

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Një shpërthim i fuqishëm më 29 nëntor shkaktoi një çarje të madhe në murin e kanalit në një fshat të Zubin Potokut, duke e rrezikuar furnizimin me ujë dhe energji në pjesën më të madhe të vendit.

Kosova e fajëson Serbinë për sulmin, gjë që mohohet nga Beogradi zyrtar.

Derisa furnizimi i KEK-ut me ujë për ftohjen e termoelektranave të saj nuk u ndikua, shpërthimi shkaktoi reduktime të ujit në disa pjesë të vendit, ndërsa uji prej atëherë mund të përdorej vetëm për nevoja higjienike dhe sanitare.

Instituti njoftoi gjithashtu se furnizimi me ujë është kthyer në normalitet nga 6 dhjetori.

Ai i udhëzoi kompanitë rajonale të ujësjellësit, KRU Prishtina dhe KRU Mitrovica, të vazhdojë mbikëqyrjen dhe trajtimin e ujit dhe të sigurojë ujë në sasi dhe cilësi, sipas standardeve për ujin e pijes.

KRU Prishtina e furnizon me ujë kryeqytetin me rrethinë.

KRU Mitrovica i furnizon me ujë komunat si Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut pjesërisht, Zveçanin, Vushtrrinë dhe Skenderajn, sipas uebsjatit të kompanisë.

Autoritetet kosovare e kanë cilësuar shpërthimin e 29 nëntorit në kanalin e ujit si sulmin më të rëndë ndaj infrastrukturës së vendit që nga paslufta.

Sulmi u dënua nga bashkësia ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian dhe Gjermaninë që e cilësuan si “akt terrorist”

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG