Ndërlidhjet

IKSHPK: Uji nga Badoci ende i papijshëm, por s’ka vend për panik


Liqeni i Badocit.
Liqeni i Badocit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njoftoi të hënën se uji nga fabrika e ujit në Liqenin e Badocit vazhdon të jetë i papërdorshëm për pije dhe përgatitje të ushqimit, por shtoi se nuk ka vend për panik.

Më 19 tetor, Instituti iu kishte kërkuar qytetarëve që furnizohen me ujë nga kjo fabrikë të mos e përdorin atë për pije dhe përgatitje të ushqimit, për shkak të vlerës së shtuara të manganit.

Të hënën, IKSHPK tha se është duke e bërë monitorimin dhe përcjelljen në vazhdimësi të cilësisë së ujit të Liqenit e Badovcit.

“Analizat e fundit laboratorike tregojnë për rënie të vlerave referente të manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës, por që, ende nuk janë arritur vlerat sipas standardeve të parapara në Udhëzimin administrativ nr. 10/2021 - Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”, tha IKSHPK në Facebook.

Instituti shtoi se uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit si dhe për nevoja të tjera “por jo edhe për përgatitje të ushqimit sepse vlimi i ujit nuk e zvogëlon sasinë e manganit”.

Vlerat e shtuara të manganit në ujin e Liqenit të Badocit vijnë si pasojë e faktorëve natyrorë dhe njerëzorë, tha eksperti i ujërave, Skënder Bublaku, për Radion Evropa e Lirë më 21 tetor.

Bublaku thotë se si “liqen relativisht i vjetër”, janë disa faktorë që bëjnë që në Liqenin e Badocit të mund të shfaqet herë pas here mangani në vlera më të larta.

Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mangani është një element esencial për shumë gjallesa, përfshirë këtu edhe njerëzit. Por, “efekte të padëshirueshme në shëndetin e njerëzve mund të shkaktohen nga marrja e pamjaftueshme ose ekspozimi i tepërt [ndaj manganit]”.

Departamenti qeveritar i Kanadasë për Shëndetësi, HealthCanada, thotë se mënyra më e lehtë e absorbimit të këtij elementi është përmes ujit të pijes.

Por, ky departament shton se nëse uji që ka nivele më të larta të manganit sesa që lejohet konsumohet vetëm për periudha të shkurtra kohore, “nuk ka gjasa të shkaktohet ndonjë problem shëndetësor”.

E nëse pirja e ujit të kontaminuar me nivele më të larta të manganit bëhet për një periudhë më të gjatë kohore, atëherë mund të shfaqen probleme shëndetësore.

“Fëmijët dhe të rriturit që pinë ujë me nivele të larta mangani për një kohë të gjatë, mund të kenë probleme me kujtesë, përqendrim dhe aftësi motorike. Foshnjat (nën një vjeç) mund të kenë probleme të të mësuarit dhe sjelljes nëse pinë ujë me shumë mangan në të”, thuhet në uebfaqen e Departamentit të Shëndetësisë në Minesota të SHBA-së.

XS
SM
MD
LG