Ndërlidhjet

FFK thotë se do t’i drejtohet CAS-it pas vendimit të UEFA-s


Lojtarët e Kombëtares së Kosovës në futboll duke u larguar nga fusha gjatë ndeshjes kundër Rumanisë në Bukuresht më 15 nëntor 2024.
Lojtarët e Kombëtares së Kosovës në futboll duke u larguar nga fusha gjatë ndeshjes kundër Rumanisë në Bukuresht më 15 nëntor 2024.

Shtëpia evropiane e futbollit, UEFA, vendosi se Kosova është përgjegjëse për braktisjen e ndeshjes kundër Rumanisë, duke e humbur atë me rezultat zyrtar 3:0. Federata e Futbollit të Kosovës paralajmëroi se këtë vendim do ta adresojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

UEFA tha se Kosova humbi lojën në tavolinë për shkak se ishte përgjegjëse për ta luajtur atë deri në fund dhe me braktisjen e saj, ajo shkeli nenin 25.01 të Rregullores së Ligës së Kombeve të UEFA-s.

“Federata e Futbollit e Kosovës të dënohet me 6.000 euro për sjellje të pahijshme të ekipit të saj”, tha UEFA.

Në ndeshjen futbollistike në kuadër të Ligës së Kombeve, lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha në minutën e 92-të, pasi u ankuan për thirrje raciste nga tifozët rumunë në Arenën Kombëtare në Bukuresht.

UEFA shqiptoi 50.000 euro gjobë për Federatën rumune të Futbollit dhe e dënoi me një ndeshje pa prani të tifozëve “për sjelljen raciste apo diskriminuese të mbështetësve të tij [sa i përket brohoritjeve ksenofokike dhe antihungareze]”.

Kjo federatë u dënua edhe me 30.000 euro për transmetim të mesazheve provokuese politike “që nuk janë të përshtatshme për ngjarje sportive”.

Federata rumune u dënua me 9.000 euro për hedhje të gjësendeve, me 4.500 euro për ndezje të fishekzjarrëve, 8.000 euro për përdorimin e laserëve, 12.500 euro për pengim gjatë antonimeve të himneve kombëtare dhe 14.000 euro për bllokim të korridorit në stadium.

FFK paralajmëron ankesa ndaj vendimit të UEFA-s

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tha se gjobitja e Rumanisë në vlerë prej 128.000 eurosh për thirrje raciste, ksenofobe dhe gjuhë të urrejtjes nga tifozët e saj, është konfirmim i “arsyeshmërisë” së vendimit të Kombëtares kosovare për të braktisur ndeshjen.

“Ky vendim arsyeton në plotni veprimet tona, dhe jemi krenarë që Kombëtarja jonë e vlerësoi saktë situatën kur vendosi të lërë fushën në shenjë proteste ndaj këtyre thirrjeve raciste, mesazheve provokuese politike dhe sjelljeve të tjera diskriminuese. Ky vendim konfirmon se Kosova ka ngritur një standard të ri për mbrojtjen e dinjitetit dhe respektit në futbollin ndërkombëtar”, tha FFK-ja në reagimin e saj më 20 nëntor.

FFK tha se nuk pajtohet me vendimin që Kosova të humbë tri pikë në tavolinë, andaj do të bëjë ankesa dhe do ta apelojë rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Zvicër, “duke vazhduar të mbrojë të drejtën dhe integritetin e Kombëtares sonë”.

“FFK tashmë ka dorëzuar një kërkesë formale për të marrë vendimin e plotë nga UEFA, për të pasur qasje të plotë në të gjitha detajet dhe arsyetimet ligjore që kanë çuar në këtë vendim dhe pas pranimit të vendimit të plotë, ne do të përdorim çdo shkallë tjetër të apelimit që kemi në dispozicion për të kundërshtuar heqjen e pikëve, e cila nuk reflekton drejtësinë dhe nuk pasqyron përpjekjet tona për të mbrojtur vlerat sportive”, tha Federata.

FFK sërish mbrojti vendimin e futbollistëve kosovarë për të lëshuar fushën e gjelbër, duke thënë se ata treguan “një guxim të jashtëzakonshëm dhe qëndrim shembullor duke refuzuar të luajnë në kushte të padenja, dhe ky vendim i UEFA-s është një dëshmi e qartë që gjuha e urrejtjes, racizmi dhe mesazhet provokuese politike nuk kanë vend në futboll”.

CAS-i ka rrëzuar shpesh vendimet e UEFA-s apo të shtëpisë botërore të futbollit, FIFA.

Federata rumune e Futbollit vetëm ka publikuar vendimin e UEFA-s në ueb-faqen e saj dhe nuk e ka komentuar atë.

Por, televizioni Digi Sport ka mësuar se ekipi ligjor i Federatës rumune po pret që të marrë të plotë vendimin e UEFA-s në mënyrë që të di se si të reagojë.

Trajneri i Kombëtares rumune, Mircea Lucescu, tha se vendimi ishte “normal”.

“Ata [futbollistët kosovarë] u turpëruan. Zgjedhja e tyre. Ata tentuan”, tha ai, duke shtuar se gjobat e shqiptuara nga Rumanisë ishin të larta.

“Shumë të larta. Për çfarë? Është absurde”, tha ai.

Kapiteni i ekipit të Rumanisë, Nicolae Stanciu, shprehu indinjatë që Rumania luan kundër Kosovës, pasi që shteti i tij nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Ne vërtet ia bëjmë këtë pyetje veten dhe po flisnim me njëri-tjetrin se vërtet ka shtete në Evropë që nuk mund të luajnë me njëri-tjetrin, prandaj ne pyesim nëse ka shtete që ne nuk i njohim, dhe duke pasur parasysh atë që ndodhi në ndeshjet e fundit me ta [Kosovën], pse ne vazhdojmë të luajmë kundër tyre?. Por, ky nuk është vendim që na përket ne”, tha ai.

Çfarë ndodhi në Bukuresht?

Në minutën e 92-të të ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës, kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, udhëzoi ekipin që të largohej nga fusha.

Ai tha se në stadium kishte thirrje “Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi” nga tifozët vendës. Rrahmani deklaroi se e kishte njoftuar gjyqtarin e ndeshjes “së paku tri herë” para se ekipi i Kosovës ta braktiste fushën.

Rrahmani dhe shtabi teknik e ekipit verdhekaltër i udhëzuan futbollistët të largohen nga fusha dy minuta pa përfunduar ndeshja në Arena Bukuresht, kur rezultati ishte 0:0, derisa lojtarët e Rumanisë qëndruan në fushë.

Pas diskutimeve për rreth një orë mes gjyqtarit të ndeshjes dhe përfaqësuesve të të dyja kombëtareve, lojtarët e Kosovës nuk pranuan të ktheheshin në fushë edhe pse u ishte thënë se kushtet ishin përmirësuar për vazhdimin e ndeshjes së ndërprerë në minutën e 92-të.

Gjyqtari danez Morten Krogh u kthye në fushë dhe i kërkoi ekipit rumun ta rinisë lojën dhe e pezulloi atë më pas, sipas rregullores së UEFA-s.

Pas kësaj, UEFA hapi procedurë disiplinore ndaj dy kombëtareve.

Kombëtarja rumune në futboll një ditë pas ndeshjes kishte falënderuar tifozët e saj për “mbështetjen” dhe “sjelljen” gjatë lojës me Kosovën.

“Është për keqardhje gjesti i ekipit mysafir, që zgjodhi të largohej nga fusha pa pajtimin e referit, refuzoi ta përfundonte ndeshjen në fushë në frymën e lojës fer, që reflekton mungesë të respektit jo vetëm për futbollin, por edhe për ata si futbollistë profesionistë”, tha Kombëtarja e Rumanisë, shtetit që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq, Federata e Futbollit të Kosovës më 16 nëntor dënoi ashpër “provokimet dhe sjelljet raciste” gjatë ndeshjes në Bukuresht.

“Thirrjet si ‘Kosovo is Serbia’ dhe ‘Serbia, Serbia’, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurt për lojtarët tanë”, u tha në reagimin e FFK-së.

Kjo është hera e dytë në dy vizitat e fundit të Kosovës në Bukuresht brenda një viti që ndeshja është ndërprerë për shkak të thirrjeve të tifozëve vendës kundër Kosovës.

UEFA e gjobiti Federatën e Futbollit të Rumanisë me 52.000 euro, si dhe e dënoi me një ndeshje pa tifozë, pas një hetimi për disa shkelje gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Kosovës në shtator 2023.

Atëbotë, ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht ishte ndërprerë për rreth një orë, pasi tifozët vendës kishin bërë thirrje dhe e kishin shpalosur një pankartë "Kosova është Serbi", para se të rifillonte pas qetësimit të situatës dhe heqjes së pankartës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG